Sport

Dhunën në Vushtrri policia e heton për “lëndim të lehtë trupor”

Federata e Hendbollit e Kosovës të dielën mbrëma ka përjashtuar përjetë tre hendbollistë të Vushtrrisë, të shpallur fajtorë për sulmin e rëndë ndaj lojtarëve të klubit të hendbollit Trepça.

Por, me sulmin e rëndë fizik që ndodhi të shtunën ndaj lojtarëve të Trepçës nga lojtarët dhe shikuesit në Vushtrri po merren edhe organet e shtetit.

“Lidhur me ngjarjen është iniciuar rast ‘lëndim i lehtë trupor’”, ka njoftuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, të hënën për KOHËN.

Ai ka shtuar se “rrjedha hetimore do të vazhdojë tutje”.

Zahiti nuk ka njoftuar nëse po hetohet për shikuesit që u futën në fushën e lojës dhe realizuan sulmin e rëndë fizik.

Gjatë ndeshjes kampionale janë sulmuar rëndë lojtarët e Trepçës nga lojtarët dhe tifozët e Vushtrrisë, ndonëse policia ishte në palestër.

Komesari i Garave të FHK-së, Isak Osmani, të dielën mbrëma përjashtoi përjetë nga hendbolli Halim Miftarin, Asllan Gërgurin e Haki Vllahijën. Me dy vjet moslojë u dënua Fitim Klinaku i Vushtrrisë, ish-lojtar i Trepçës po ashtu. Muhamet Hyseni u suspendua për gjashtë muaj.

Derisa dënimet ndaj lojtarëve ishin të ashpra, më lehtë ka shpëtuar klubi Vushtrria.

Ndeshjen e ndërprerë, Trepça e fitoi në tavolinë 10:0, derisa Vushtrrisë i janë marrë tri pikë. Vushtrria është gjobitur me 800 euro dhe pesë ndeshjet e ardhshme do t’i luajë pa praninë e shikuesve. Vendimet e Komisarit të Garave kanë ndryshuar edhe renditjen tabelore.

Vushtrria prej vendit të tretë ka rënë në vendin e katërt me 26 pikë. Prishtina tani është e treta me 27 pikë. Besa Famgas në plejof starton prej vendit të parë me 50 pikë, ndërsa Trepça prej vendit të dytë me 34 pikë.

Pas vendimeve të fundit janë shmangur përballjet e Trepçës dhe Vushtrrisë në plejof. Tani në gjysmëfinale Besa Famgas luan me Vushtrrinë, ndërsa Trepça me Prishtinën. Ndeshjet e para gjysmëfinale luhen më 10 e 11 maj.

Ishte ky rasti më i rëndë në hendbollin e Kosovës për shumë kohë.