Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Presidenti i FHK-së paralajmëron masa të rrepta për dhunën në Vushtrri

Presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës (FHK), Eugen Saraçini ka paralajmëruar masa të rrepta për dhunën në Vushtrri ndaj lojtarëve të Trepçës.

Ndeshja Vushtrria - Trepça u ndërpre në minutën e 35-të pas incidenteve të rënda në fushën e lojës. Të shtunën pasdite, lojtarët e Trepçës së Mitrovicës janë sulmuar rëndë nga lojtarët dhe tifozët e Vushtrrisë.

Në fushën e lojës kanë hyrë tifozët që në videoincizime shihen duke shkelmuar e grushtuar lojtarët mysafirë. Të tjerë i kanë goditur derisa lojtarët e Trepçës gjatë tollovisë iu afruan njërës tribunë. Ishte ky incidenti më i rëndë në hendbollin kosovarë në shumë vjet.

“Incidentet, huliganizmi në mesin e lojtarëve dhe tifozëve, padyshim i sjell hije jo të mirë organizimeve të tilla. Por, nuk duhet përgjithësuar, ndaj duhet marrë masa të rrepta ndaj secilit që e dëmton klubin, qytetin, tifozët e sidomos familjet e lojtarëve si nga vendi ashtu edhe ata të cilët vijnë nga vende te tjera për të ushtruar hendbollin te ne. Ata që u lënduan shpresojmë dhe u dëshirojmë që sa më shpejtë t’i kthehen lojës. FHK-ja si dhe klubet kosovare, udhëheqësitë e klubeve, lojtarët e vërtetë të këtij sporti, kërkojnë vendosmërisht që ngjarje te këtilla te mos ndodhin më. Përpjekjet duhet të jenë maksimale që ngjarjet sportive të jenë vërtetë sportive”, thuhet në reagimin e Saraçinit.

Ai ka bërë thirrje që Vushtrria dhe Trepça të ruajnë qetësinë dhe miqësinë.