Prizreni-16 e ka fituar ndeshjen e xhiros së fundit të stinorit vjeshtor.
Të mërkurën në mbrëmje në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, Prizreni-16 fitoi kundër kryeqytetasve me rezultatin 102:88 në kuadër të xhiros së 14-të në Superligën e basketbollit.
Prizreni-16 me këtë fitore ngjitet në pozitën e katërt me 22 pikë në 13 ndeshje të luajtura. Ka nëntë fitore e katër disfata. Prishtina mbetet në vendin e gjashtë me 21 pikë, me shtatë fitore e po aq humbje.
Ivak Koljeviq ishte më i miri te vendësit me 24 pikë, 2 kërcime e tetë asistime. Kontribut në këtë fitore dha edhe Cortney Fells i cili realizoi dyshifror të dyfishtë me 14 pikë, 11 kërcime e tetë asistime. Alban Veseli e mbylli ndeshjen me 20 pikë, shtatë kërcime e dy asistime.
Nicholas Tomsick ishte më i dalluari te “bardhekaltrit” me 20 pikë, 2 kërcime e pesë asistime.