Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Prizreni fiton derbin e fundit të tabelës

Proton Cable Prizreni ka mposhtur Istogun në përballjen e fundit të tabelës në Superligën e Kosovës në basketboll. Të dielën mbrëma në Prizren, skuadra nga ky qytet fitoi me rezultatin 96:83. Ndeshja i takoi xhiros së 14-të.

Në fakt Istogu ishte vendas, por ndeshja u zhvillua në Prizren për shkak të gjendjes së papranueshme të palestrës në Istog.

Ndeshja ishte interesante dhe e hapur thuajse deri në fund. Por Prizreni nuk lejoi befasi dhe mori dy pikë të reja e të vlefshme. Isaiah Kelly udhëhoqi Prizrenin me 27 pikë e 12 kërcime. Tye Cockfild i kishte 18 pikë e gjashtë asistime. Desi Sills i kishte 16 pikë e 13 kërcime, ndërsa Urim Zenelaj e përfundoi ndeshjen me 10 pikë e 15 kërcime.

Arti Hajdari i kishte 18 pikë. Daquan Brooks u shqua te Istogu me 23 pikë e tetë asistime. Desmont Halloway i kishte 18 pikë e dhjetë kërcime, ndërsa Tyres Prince ndeshjen e përfundoi me 13 pikë e 12 kërcime. Istogu është i fundit me 15 pikë. Ka një fitore e 13 humbje. Prizreni shënoi fitoren e pestë dhe kalon Bashkimin në tabelë. Është i gjashti me 19 pikë.