Sport

Prizreni-16 e fiton duelin e parë ndaj Prishtinës

Prizreni-16 e ka nisur me fitore plejofin e Superligës së Kosovës në basketboll. Në ndeshjen e parë të serisë çerekfinale, Prizreni-16 e ka mposhtur Sigal Prishtinën. Në duelin e luajtur të enjten mbrëma në palestrën "Sezai Surroi" në Prizren, ekipi vendas triumfoi me shifrat 95:87.

Me këtë triumf, Prizreni-16 është një hap larg kalimit në gjysmëfinale të plejofit pasi i nevojitet vetëm edhe një fitore për ta eliminuar Prishtinën.

Në këtë seri, skuadra që regjistron dy fitore avancon tutje. Ndeshja e dytë mes këtyre dy ekipeve do të luhet të dielën mbrëma në Prishtinë. Në ndeshjen e parë, Prizreni-16 ishte më i mirë se Prishtina pothuajse gjatë tërë takimit.

Prishtina krejt çka arriti ishte ta fitojë vetëm çerekun e dytë (20:18), pasi tri periudhat tjera i takuan Prizrenit-16. Më i merituari për këtë fitore të ekipit vendas ishte Arti Hajdari që ndeshjen e mbylli me 35 pikë të shënuara.

Me lojë të mirë te Prizreni-16 u veçuan edhe Xavier Cannefax (21) e Darrell Davis (18). Te Prishtina më efikasi ishte Jetmir Zeqiri me 23 pikë të shënuara, i përcjellë nga Jan Palokaj, i cili ndeshjen e mbylli me 20 pikë. Skuadra që kalon në gjysmëfinale të plejofit do të përballet me kampionin në fuqi, Golden Eagle Yllin. Ylli stinorin e rregullt e përfundoi në pozitën e parë duke u kualifikuar automatikisht në gjysmëfinale.