Skuadra Prizreni-16 është kualifikuar në gjysmëfinale të Superkupës së Kosovës në basketboll, turne që ka nisur të mërkurën dhe do të mbahet deri të dielën në Prishtinë. Në ndeshjen e parë çerekfinale, Prizreni-16 triumfoi bindshëm ndaj skuadrës së Dritës, që e mposhti me rezultatin e thellë 105:69.
Me këtë fitore, Prizreni-16 është kualifikuar në gjysmëfinale, ku e pret fituesin e çerekfinales tjetër, ndërmjet Pejës dhe Sigal Prishtinës që zhvillohet prej orës 19:00.
Plejmejkeri Ivan Koljeviq ishte më i dalluari te ekipi prizrenas me 19 pikë të shënuara, i përcjellë nga Arti Hajdari e Courtnley Fell, që realizuan nga 17 pikë secili. Ndërkohë, te Drita që këtë sezon është kthyer në Superligë, më efikasi ishte Laurant Ibrahimi me 20 pikë të realizuara.