Sport

Prishtina fiton ndeshjen e fundit por mbetet në pozitën e pestë

Sigal Prishtina e ka fituar ndeshjen përmbyllëse të stinorit të rregullt në Superligën e Kosovës në basketboll.

Të dielën mbrëma Prishtina fitoi në udhëtim ndaj Prizreni-16 me rezultatin 102:99. Ishte fitorja e parë e Prishtinës ndaj skuadrës prizrenase në këtë edicion. Përkundër fitores, Prishtina në plejof starton prej pozitës së pestë. I ka 43 pikë, aq sa edhe Prizreni-16 në vendin e katërt. Pikërisht këto dy skuadra takohen në çerekfinale të plejofit. Prizreni është në vendin e katërt për shkak të bilancit më të mirë në ndeshjet e ndërsjella me Prishtinën (3:1).

Në fund të ndeshjes në Prizren, vendasit kishin disa gjuajtje për tri pikë për të barazuar rezultatin. Por Altin Morina dhe Qëndrim Ajazaj nuk ishin të saktë.

Jetmir Zeqiri udhëhoqi Prishtinën duke realizuar 28 pikë e 14 kërcime. Ai i kishte edhe pesë asistime.

Devin Thomas shtoi 19 pikë, nëntë kërcime e gjashtë asistime. Ndërsa Jan Palokaj i kishte 21 pikë.

Te Prizreni, Robert McCoy ndeshjen e mbylli me 30 pikë e dhjetë kërcime. Arti Hajdari shtoi 28 pikë e pesë asistime.

Stinorin e rregullt në pozitën e parë e ka përfunduar Golden Eagle Ylli me 50 pikë. Trepça është e dyta me 47 pikë. Këto dy skuadra kualifikohen direkt në gjysmëfinale të plejofit.

Në çerekfinale pos Prizrenit e Prishtinës luajnë edhe Peja e vendit të tretë dhe Bashkimi i vendit të gjashtë. Peja takohet pikërisht me Bashkimin në serinë çerekfinale.

Rahoveci i vendit të shtatë luan në plejaut, për një vend në elitë në edicionin e ardhshëm. Ndërkohë Drita largohet nga Superliga. Vendin e saj e zë Vëllaznimi i Gjakovës.