Sport

Pritjet janë të mëdha përpara ardhjes së Messit në Inter Miami

Në qytetin e Miamit ka shenja për ardhjen e Lionel Messit: një mural i shtatë herë fituesit të “Topit të Artë” i pikturuar me ngjyrat rozë dhe të zezë të Inter Miamit në lagjen artistike Wynwood. Një tjetër pikturë e yllit të futbollit është në hyrje të një restoranti lokal argjentinas. Fanella me numrin 10 e Argjentinës është e pikturuar pothuajse në të gjithë qytetin.

Messi, i cili mbushi 36 vjet këtë muaj, njoftoi më 7 qershor se do t'i bashkohej Inter Miamit në një lëvizje që mahniti botën e futbollit. Messi pritet të jetë një nga emrat më të mëdhenj të sportit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Miamit, ku entuziazmi për sportin e futbollit është rritur. Messi, i cili kaloi dy vjetët e fundit me Paris Saint-Germainin, është ende duke finalizuar dokumentet me klubin e tij të ri. Ai pritet të debutojë me fanellën e Inter Miamit më 21 korrik në shtëpi kundër Cruz Azulit në Kupën e Ligës. Lëvizja shpresohet të ofrojë një nxitje të madhe për pjesëmarrjen dhe interesimin e tifozëve në Major League Soccer përpara Kupës së Botës 2026, një pjesë e së cilës do të organizohet në SHBA, si dhe për Inter Miamin, një klub i udhëhequr nga një tjetër ikonë e futbollit global. David Beckham udhëheq klubin dhe anglezi po kërkon të fitojë të njëjtin popullaritet sikurse pronarët e ekipeve të tjera sportive në Florida të Jugut.

“Ai do të jetë në gjendje të lërë këtë trashëgimi të mrekullueshme dhe është një trashëgimi që nuk mund të mohohet nga askush”, tha Anson Dorrance, që është në edicionin e tij të 47-të si trajner i futbollit për femra në Karolinën e Veriut. “Ne do të presim Kupën e Botës së ardhshme për meshkuj. Dhe një pjesë e ndërtimit të një platforme është të sigurohemi që do ta kemi të mbushur secilin stadium. Pra, po ashtu, që edhe liga jonë profesionale MLS të jetë ndër më të shikuarat në vend këtë vit, pasi do ta kemi Messin aty”.

Liga tashmë po arrin që të jetë më e popullarizuara. Çmimet e biletave për ndeshjet e Inter Miamit janë rritur që nga njoftimi i Messit dhe skuadrat e tjera tashmë po shesin bileta shtesë për ndeshjet e ardhshme kundër klubit të argjentinasit. Sipas të dhënave të siguruara nga “Vivid Seats”, një treg biletash, çmimi mesatar i biletës për ndeshjen e Inter Miamit kundër Cruz Azul u rrit nga 126 dollarë më 6 qershor (një ditë para njoftimit të Messit) në 2151 dollarë më 20 qershor. Është një rritje prej 1607 për qind. Në “SeatGeek”, një faqe tjetër e shkëmbimit të biletave, shkruan se bileta mesatare për të parë një ndeshje të Inter Miamit ishte 34 dollarë më 6 qershor. Më 7 qershor ishte 178 dollarë, sipas të dhënave të ofruara nga kompania.

​“Messi është një nga sportistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Ka interesim të madh për ta parë atë të luajë në Miami dhe në të gjithë SHBA-në”, tha Chris Leyden, drejtori i marketingut të “SeatGeek”. “Ai bashkohet me LeBron Jamesin dhe Tom Bradyn kur bëhet fjalë për efektin e menjëhershëm dhe dramatik në kërkesën e biletave. Situata e Messit është veçanërisht unike në faktin që shumë nga tifozët amerikanë kanë mundësinë për ta parë atë nga afër për herë të parë”.

Messi zgjodhi Miamin në vend të Al-Hilalit në Arabinë Saudite, ku shumë menduan se argjentinasi do të shkonte dhe do të ndiqte rivalin e vjetër Cristiano Ronaldon. Kthimi në Barcelonë, ku ai kaloi pjesën më të madhe të karrierës, ishte gjithashtu opsion. Por Messi tha se donte të shkonte në SHBA për të “përjetuar futbollin në një mënyrë tjetër”.

Gjatë më shumë se 17 vjetëve të përfaqësimit të Argjentinës në skenën ndërkombëtare, Messi ka shënuar 102 gola kundër 38 kundërshtarëve të ndryshëm të përfaqësueses. Një nga golashënuesit më të mëdhenj në historinë e sportit, Messi shënoi dy herë në finalen e Kupës së Botës të vitit të kaluar kundër Francës, një ndeshje që Argjentina e fitoi me penallti për t'i dhënë sulmuesit trofeun që i ka munguar në karrierë.

“Messi do të stimulojë gjithçka në lidhje me futbollin në këtë vend”, tha Dorrance.

Messi do t'i bashkohet një klubi në vështirësi që është i fundit në Konferencën Lindore me një bilanc prej pesë fitoreve karshi 13 humbjeve deri më tani këtë edicion.

Inter Miami ka shkarkuar së fundmi trajnerin Phil Neville, pas më shumë se dy edicionesh. Messi do të ketë një tjetër yll të Barcelonës pranë në Miami. Kapiteni i Barcelonës dhe ish-shoku i tij, Sergio Busquets, do t'i bashkohet skuadrës këtë verë, siç u konfirmua së fundmi përmes rrjeteve sociale. Përpara ardhjes së tij, Inter Miami po rrit kapacitetin në stadiumin “DRV PNK” me afërsisht 3000 ulëse. Stadiumi do të ketë kapaciteti prej rreth 22,000 ulëse për shkak të kërkesave të shumta për ta parë Messin me fanellën e këtij ekipi.