Kampionit të Kosovës në basketboll, Sigal Prishtinës i është rrezikuar pjesëmarrja në Ligën e Kampionëve shkaku i mosmarrëveshjeve me AKP-në për shfrytëzimin e palestrës në Pallatin e Rinisë.
Prishtina të mërkurën do të zhvillojë ndeshjen e parë në këtë garë europiane, derisa AKP-ja po atë ditë ka lejuar mbajtjen e Kampionatit për Peshëngritje për grupmoshat U15 dhe U17.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Ne nuk kemi asgjë kundër mbajtjes së kësaj gare, por është shqetësuese se si një garë që mund të organizohet në një vend tjetër ku nuk prishet parketi i dedikuar për sportet tjera, të lejohet të organizohet në të vetmen sallë në Kosovë ku FIBA lejon të mbahen ndeshje ndërkombëtare të basketbollit, e që së shpejti as kjo nuk do të mjaftojë”, thuhet në njoftimin e Prishtinës në Facebook.
“Fatkeqësisht sot jemi të rrezikuar për ta përmbushur misionin tonë si rrjedhojë e gjendjes së krijuar në palestër. Na është thënë se palestra do të jetë e zënë pasi që AKP ka lejuar mbajtjen e Kampionatit për Peshëngritje U15 dhe U17”.
“Edhe përkundër faktit që palestra e Pallatit të Rinisë nuk i ka plotësuar asnjëherë kushtet për të zhvilluar ndeshje ndërkombëtare, KB Sigal Prishtina me ndihmën e dashamirëve dhe MKRS-së ka bërë investime dhe improvizime vetëm e vetëm që të mos dështojmë në arenën ndërkombëtare, në mënyrë që ta ruajmë dhe ngrisim imazhin e vendit tonë, si dhe t'i ofrojmë kënaqësi e argëtim publikut prishtinas dhe mbarë shqiptarëve”, thuhet më tej.
Prishtina i ka bërë thirrje AKP-së, menaxhuese e Pallatit të Rinisë, që të zgjidh problemin e krijuar për shfrytëzimin e palestrës.
“Ju bëjmë me dije se nëse nuk bëhen zgjidhjet e duhura dhe meritore ne do të ndërmarrim veprime të tjera të cilat nuk do të donim t’i bënim asnjëherë, por do të jemi të detyruar nga zori t'i ndërmarrim, sepse rrezikohemi seriozisht në të gjitha drejtimet madje deri te shkatërrimi i veprimtarisë dhe ekzistencës së klubit më të trofeshëm shqiptar në garat ekipore”, thuhet në reagimin e Prishtinës.