Sport

Prishtinën në Letoni e pret testi më i vështirë në grup

Kampionia e Kosovës në basketboll, Sigal Prishtina, do të ketë dukshëm punën më të vështirë deri më tash në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup.

Prishtina të mërkurën (sot), në Riga të Letonisë, do të përballet me skuadrën e Ventspilsit. Ndeshja i takon xhiros së tretë të Grupit C dhe nis në orën 18:00. Ventspilsi është ekipi i vetëm i pamposhtur në grup, pasi në dy xhirot e para ka triumfuar ndaj Medi Bayreuthit e APOEL Nicosias për t’u konfirmuar si lider, shkruan sot Koha Ditore.

Ndërkohë Prishtina ka një fitore e një humbje dhe dueli me Ventspilsin do të jetë i dyti rresht që do ta luajë në udhëtim pas atij kundër Medi Bayreuthit që e humbi javën e shkuar. Te Prishtina tashmë kanë harruar humbjen nga ekipi gjerman dhe po synojnë që skuadrës letone t’i nxjerrin telashe pas startit të furishëm.

Në të dyja ndeshjet e para Ventspilsi ka fituar bindshëm. Në xhiron e parë triumfoi 95:77 ndaj Bayreuthit, kurse në të dytën e mposhti APOEL-in me shifrat 92:69.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)