Te Sigal Prishtina janë të bindur se mund ta sigurojnë pjesëmarrjen në garat e plejofit deri në fund të pjesës së rregullt të garave në Superligën e Kosovës në basketboll.
Aktualisht, Prishtina është e fundit në tabelë me 34 pikë dhe prej orës 19:00 e pret Ponte Prizrenin që është e dyta me një pikë dhe ndeshje më pak se Rahoveci që prinë me 42 pikë.
Prishtina ka një pikë më pak së Vëllaznimi e Trepça që renditen në pozitën e shtatë, respektivisht gjashtë. Por, Vëllaznimi ka një ndeshje më shumë të luajtur. Dueli mes Prishtinës e Pontes, i takon xhiros se 26. Qendra e Prishtinës, Fisnik Rugova ka insistuar se mund të luftojë për plejof në tri xhirot e fundit.
Megjithatë, ai ka thënë se janë të fokusuar ta mposhtin Ponte Prizrenin që të bëjnë një hap para drejt synimit, plejofit. Këtë edicion, Prishtina e ka fituar Superkupën dhe Kupën e Kosovës por në kampionat nuk ka pasur rezultate të mira dhe po rrezikon rënien nga elita për herë të parë në histori.
“Dihet që Prishtina për momentin nuk është aspak në një pozitë të mirë kur kanë mbetur edhe tri xhiro që të caktohet tabela përfundimtare. Gjatë edicionit kemi lëshuar shumë ndeshje nga dora dhe kjo kushtoi. Gjithashtu, kanë ndikuar edhe ndërrimet e shumta në ekip”, ka thënë Rugova. “Mirëpo, përkundër të gjithave, i kemi edhe tri ndeshje që mundemi të luftojmë për plejof. Çdo gjë fillon prej duelit me Ponte Prizrenin. Besoj në një pataqitje të mirë dhe shpresoj që i gjithë ekipi të jetë i uritur për fitore”.
Edhe trajneri i Prishtinës, Ljupço Malinkov ka thënë se synon fillimisht fitore ndaj Pontes përpara se të bëhen gati për dy duelet tjera, me Vëllaznimin në udhëtim dhe Bashkimin në shtëpi.
“Duke pasur parasysh gjendjen në tabelë, atëherë tri ndeshjet e fundit janë shumë të rëndësishme për ne”, tha Malinkov. “Ndaj Pontes synojmë fitoren, pavarësisht pozitës që e kanë në tabelë pasi jemi përgatitur mirë”.
Ndërkohë, prej orës 17:00, zhvillohet edhe një ndeshje e xhiros së 26 të Superligës së Kosovës në basketboll. Në palestrën “Karagaçi”, Peja e pret Trepçën, ekip që gjithashtu po lufton për plejof.