Sport

Gara në Superligën e basketbollit ende e hapur për disa pozita

Të enjten janë luajtur dy ndeshje të xhiros së 26-të, ndërsa menjëherë të shtunën janë dy ndeshjet e para të xhiros së 27 të Superligës së Kosovës në basketboll. Është kjo xhiroja e parafundit e stinorit të rregullt, ndërsa rezultatet kanë peshë për renditjen finale.

Në fakt tashmë dihen gjashtë skuadrat e plejofit, skuadra e plejautit dhe ajo që largohet nga elita. Istogu largohet nga Superliga, Proton Cable Prizreni luan në plejaut, ndërsa Trepça starton në plejof si e para në tabelë. Por renditja e pesë skuadrave të tjera të plejofit mund të ndryshojë, varësisht nga rezultatet e dy xhirove të fundit.

Trepça është lidere me 50 pikë, ndërsa Peja është e dyta me 44 pikë. I treti është Golden Eagle Ylli me 43 pikë, ndërsa Sigal Prishtina është e katërta me 41 pikë. Pasojnë Bashkimi e Vëllaznimin me nga 37 pikë.

Xhiroja e 27 hapet me ndeshjen Trepça – Bashkimi, që zhvillohet të shtunën nga ora 17:00. Derisa për ekipin mitrovicas ndeshja nuk ka peshë të madhe garuese, pos për të vazhduar serinë, për Bashkimin dy pikë do të ishin me vlerë të madhe në luftën për vendin e pestë.

Të shtunën prej orës 20:00 është ndeshja Peja – Sigal Prishtina. Peja kërkon që me fitore ta konfirmojë pozitën e dytë, ndërsa Prishtina ende është në garë për pozitën e tretë, ndonëse me jo shumë gjasa.

Sa i takon ndeshjeve që luhen të dielën, Vëllaznimi llogarit në dy pikë të reja nga ndeshja me Istogun e dorëzuar. Ndeshja Vëllaznimi – Istogu është prej orës 19:00. Proton Cable Prizreni e Golden Eagle Ylli takohen prej orës 20:00. Ylli po ashtu llogarit në dy pikë, me shpresë për ta sulmuar pozitën e dytë.

Ndeshjet e xhiros së fundit (28) janë: Bashkimi – Peja, Sigal Prishtina – Vëllaznimi, Istogu – Proton Cable Istogu, Golden Eagle Ylli – Trepça.