Po i afrohet fundit stinori i rregullt në Superligën e Kosovës në basketboll. Të mërkurën e të enjten janë ndeshjet e xhiros së 26-të. Pas kësaj xhiroje janë vetëm edhe dy xhiro të tjera para plejofit.
Trepça udhëheq me 48 pikë dhe tashmë ka siguruar pozitën e parë. Në fakt tashmë dihen gjashtë skuadrat që do të luajnë në plejof, por renditja mund të ndryshojë, varësisht nga rezultatet e tri xhirove të fundit. Renditja finale është shumë e rëndësishme për të përfituar të drejtën e nikoqirit në ndeshjet vendimtare të plejofit.
Xhiroja e 26-të fillon me takimin Bashkimi – Sigal Prishtina, që zhvillohet të mërkurën nga ora 19:00 në Prizren.
Bashkimi është i gjashti me 35 pikë, por pretendon vendin e pestë për plejof. I pesti është Vëllaznimi me 36 pikë. Sigal Prishtina e ka të sigurt vendin e katërt, të cilin e mbanë me 40 pikë. Por synon të tretin, në të cilin është Golden Eagle Ylli me 41 pikë. Peja është e dyta me 42 pikë, ndërsa Trepça i ka 48.
Të mërkurën prej orës 19:00 është edhe ndeshja Golden Eagle Ylli – Vëllaznimi që po ashtu ka rëndësi për renditje finale.
Dy ndeshjet e së enjtes ofrojnë më pak rivalitet. Prej orës 19:00 takohen Istogu e Peja, ndërsa prej orës 20:00 është ndeshja Trepça – Proton Cable Prizreni.