Skuadra e Sigal Prishtinës ka startuar me humbje në Ligën Ballkanike (BIBL). Në ndeshjen e parë të këtij sezoni, Prishtina është mposhtur në kryeqytet nga skuadra bullgare Akademik Plovdiv me rezultatin 94:85.
Ndeshja e luajtur në Prishtinë, i ka takuar xhiros së parë të Grupit B të BIBL-it. Përkundër startit të mirë dhe epërsisë që e pati deri në fund të çerekut të dytë, Prishtina e humbi ndeshjen në dy çerekët e fundit, në të cilët skuadra bullgare ishte dukshëm më e mirë.
Më efikasi te Prishtina në këtë takim, ishte amerikani Dachon Burke me 26 pikë të shënuara, i përcjellë nga Lejson Zeqiri me 21 pikë e tetë kërcime. Në anën tjetër, Tomislav Minkov ishte më i dalluari me 26 pikë të shënuara kurse me lojë efikase të Akademiku, u veçua edhe Vasil Bachev (15).
Ndeshjen e radhës në BIBL, Prishtina e luan më 19 tetor në udhëtim te skuadra nga Maqedonia e Veriut, TFT.