Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Prishtina ngushëllohet me trofeun e Kupës

Prishtina ngushëllohet me trofeun e Kupës së Kosovës në futboll.

Në finalen e zhvilluar në Mitrovicë, rezultati ishte 1:1 pas 120 minutash lojë dhe “bardhekaltrit” fituan ndaj Vëllaznimit pas penalltive.

Kjo është hera e gjashtë për Prishtinën që fiton Kupën e Kosovës derisa Vëllaznimi mbetet me një trofe të fituar në histori të klubit.

Penalltitë ishin fatale për skuadrën gjakovare për herë të dytë brenda katër ditësh, pas humbjes në barazh, pësuan edhe në finale të Kupës.

Pas dështimit të prishtinasve në garë për titull, por edhe rënies së Vëllaznimit nga elita, mbështetja për të dyja skuadrat ishte e zbehtë me numër të vogël shikuesish në stadium.

Për ironi, Stadiumi “Adem Jashari”, që ka shumë më shumë hapësirë se sa ai i Pejës, mbeti pothuajse komplet i zbrazët derisa në Pejë një javë më parë, stadiumi nuk i zinte të interesuarit për të përcjellë takimin.

Tifozët e Vëllaznimit nuk munguan në Mitrovicë për të mbështetur skuadrën e tyre të zemrës derisa “Plisat” nuk kishin udhëtuar për në qytetin verior të Kosovës.

Vëllaznimi në këtë takim u drejtua nga Haxhi Kurhasku pas largimit të trajnerit Gani Sejdiu.

Te Prishtina munguan dy lojtarët me më përvojë, Dallku dhe Curri, që u skuqën një javë më parë në përballjen me Dritën.

Vëllaznimi e nisi furishëm takimin duke rrezikuar pas 2 minutash me Lekë Vulën por portieri Bekaj reagoi mirë.

Gjakovarët vijuan me sulme derisa Rudi pati këto dy raste në minutat 6 dhe 9, por gjuajti jashtë porte.

Prishtina dha sinjalet e para me Pefqelin në minutën e 12-të, gjuajtjen e të cilit e priti lehtë portieri Muhaxhiri.

9 minuta më vonë, Khalid ishte me fat duke realizuar në portën e gjakovarëve.

Vëllaznimi vijoi të dominojë ndërkaq Jeton Dushi rrezikoi portën e Bekajt në minutat 29 dhe 32, por në të dy rastet, portieri prishtinas doli fitimtar.

Në minutën e 41-të, Ardit Vokshi pati mundësi ideale për të barazuar rezultatin por dështoi.

Një minutë më vonë, Prishtina provoi me këtë kundërsulm por gjuajtjen e Mankendës e priti portieri Muhaxhiri.

Krejt në fund, Vula rrezikoi edhe një herë por topi kaloi pranë porte dhe 45 minutat e parë u përmbyllën 1:0 në të mirë të prishtinasve.

Pjesa e dytë nisi më e qetë me Prishtinën që kishte më shumë kontrollin e topit.

Në minutën e 59-të, Prishtina iu afrua golit të dytë me Januzin e inkuadruar më herët, por kapiteni Dragusha shpëtoi “kuqezinjtë”.

Pas tre minutash fati shpëtoi “bardhekaltrit” kur Asare Richard qëlloi traun e portës.

Januzi i Prishtinës provoi edhe në minutën e 69-të por mbron portieri Muhaxhiri e më pas Dushi largon rrezikun.

11 minuta para fundit, pas gabimit të portierit Bekaj, përfitoi Dardan Rogova që barazoi shifrat, 1:1, me të cilin rezultat përfunduan 90 minutat.

Në vazhdime u zhvillua lojë monotone.

Prishtina kishte posedimin e topit por pa arritur të rrezikojë portën e Muhaxhirit.

Nga ana tjetër, Vëllaznimi provoi me Egzon Gashin në minutën e 103-të por Bekaj ishte në vend.

Edhe në shtesën e dytë u pa lojë e njëjtë.

Gjakovarët u përpoqën të rrëmbejnë fitoren në sekondat e fundit të vazhdimeve por

Vula gjuajti jashtë porte dhe mbetën penalltitë të përcaktojnë fituesin.

Nga pika e bardhë, pas tri raundeve ku lojtarët ishin të pagabueshëm, dështoi Myrta i Vëllaznimit duke qëlluar horizontalen.

Më pas, Besnik Krasniqi me ‘panenka’ realizoi për gjakovarët por prishtinasit ishin të pagabueshëm dhe penalltinë e pestë e realizoi Arbër Hoxha dhe festa shpërtheu te “bardhekaltrit”.

Kjo është hera e dytë që Prishtina mposht në finale të Kupës, Vëllaznimit, pas finales së vitit 1994.

Pas Prishtinës që ka 9 finale, Vëllaznimi është e dyta me më së shumti finale të arritura, 5 sosh, por gjakovarët vetëm një herë kanë dal fitimtar, para një dekade.

Prishtina, që kishte objektiv për këtë edicion titullin e kampionit, për sezonin e dytë rresht do të përfaqësojë Kosovën në Ligën e Europës ndërkaq Vëllaznimi stinorin e ri do të bëjë gara në Ligën e Parë të Kosovës.

Artikuj të ngjashëm