FC Prishtina ka njoftuar se ndeshjen e së dielës ndaj Lirisë do ta zhvillojë në stadiumin “Fadil Vokrri”, edhe pse dje Federata e Futbollit të Kosovës në njoftimin për ndeshjet e kësaj jave e ka vendosur Kampin Nacional në Hajvali si stadiumin ku do të zhvillohet kjo ndeshje.
Klubi nga kryeqyteti deri tash ndeshjet si vendas i ka zhvilluar në Kampin Nacional në Hajvali, pas kërkesës së FFK-së për ta ruajtur terrenin në “Fadil Vokrri” për ndeshjet ndërkombëtare të Kosovës.
“Pas këtij njoftimi, ne e kemi njoftuar me kohë sipas propozicioneve të garave, FFK-në, Policinë e Kosovës dhe të gjithë akterët tjerë që marrin pjesë në organizimin e ndeshjeve kampionale, se ndeshja zhvillohet sipas orarit në fushën tonë në stadiumin, “Fadil Vokrri”. Po ashtu kemi shtypur biletat dhe iu kemi përgjigjur kërkesës së skuadrës mysafire për prezencën e tifozerisë së tyre. Prishtina rikthehet në fushën e saj pas mirëkuptimit që fusha të ruhej për ndeshjet e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Ndeshja zhvillohet nga ora 15:00 dhe klubi ka ftuar tifozët që të jenë në numër sa më të madh në përkrahje.
“Çmimi i biletave është 3 euro në tribunën perëndimore, 2 euro në tribunën lindore dhe 1 euro në tribunën veriore, ndërsa tribuna jugore është e rezervuar për adhuruesit tanë, Plisat”, thuhet në njoftim.