Sigal Prishtina rikthehet në Ligën Ballkanike. Kthimin në këtë ligë, e ka konfirmuar edhe skuadra e Prishtinës, të enjten në një njoftim në “Facebook”.
Prishtina ka të fituar dy tituj kampioni të Ligës Ballkanike në katër pjesëmarrje, ndërsa nuk ka marrë pjesë prej sezonit 2017/18.
“Pas katër vitesh mungesë, SIGAL Prishtina në krye me Presidentin Burim Maraj ka vendosur që të rikthehet aty ku kishte sunduar vite më parë, në Balkan League. Ishin pikërisht Balkan League dhe zotëri Shtriks ata që të parët i hapën dyert Prishtinës dhe basketbollit të Kosovës për pjesëmarrje historike në garat ndërkombëtare. Sigal Prishtina si kampione e dyfishtë e kësaj gare është njëkohësisht një ndër skuadrat me të suksesshme dhe këtë edicion qe po vjen padyshim se do t’i jap kualitet dhe popullaritet më të madh këtij kompeticioni. Kampionët e Ballkanit, u rikthyen!”, thuhet në njoftimin e Prishtinës.
Krahas Prishtinës, edhe skuadra e Pejës pritet së shpejti ta konfirmoj kthimin në këtë ligë.
Në edicionin 2021/22 në Ligën Ballkanike, pritet të marrin pjesë 12 ekipe, të ndara në dy grupe.
Shorti për grupet do të tërhiqet më 26 gusht, ndërsa garat pritet të nisin në ditët e para të muajit tetor.