Ekipi i femrave, KosovaHome Prishtina është përforcuar me basketbollisten amerikane Da’jah Daniel që luan në pozitën e qendrës. Daniel (193 cm), do t’i bashkohet Prishtinës muajin tjetër dhe do të jetë pjesë e klubit deri në fund të këtij edicioni. Kështu, ka njoftuar të hënën ekipi nga kryeqyteti.
“Da’jah Daniel është transferi më i ri i klubit tonë. Qendra amerikane vjen nga NCAA ku ishte pjesë e kolegjit ‘Grand Canyon State University’. Mesatarja e Daniel në sezonin 2019/20 ishte 11.6 pikë e 10.3 kërcime për ndeshje. Daniel luan në pozitën e qendrës ku do të jetë ndihmë e madhe për ekipin tonë”, ka shkruar Prishtina në “Facebook”.
Prishtina sezonin vjeshtor në Superligën e femrave e ka mbyllur në pozitën e tretë me gjashtë fitore e katër humbje në dhjetë ndeshje të zhvilluara.
Daniel do të jetë amerikania e dytë te Prishtina pasi klubit do t’i bashkohet edhe fundorja Alexis Tolefree.