Z Mobile Prishtina ka vazhduar me fitore në Superligën e Kosovës në basketboll.
Të dielën mbrëma në Prishtinë skuadra e kaltër fitoi ndaj klubit pejan Borea me shifrat 82:59.
Ishte kjo ndeshja e parë e xhiros së dhjetë të kampionatit të Kosovës në basketboll. Valon Bunjaku ishte më efikasi te Prishtina me 14 pikë. 13 pikë i realizoi Dardan Berisha, ndërsa 12 i kishte Khalid Boukichou. Ky i fundit kishte edhe 11 kërcime, përcjell Koha Ditore.
Beqë Kovaqi ishte më efikasi te Borea me 16 pikë. Patrick Wrencher realizoi 12 pikë e 15 kërcime. Prishtina ka një ndeshje më pak të luajtur, ndërsa prin në tabelë me 18 pikë. Borea pësoi humbjen e shtatë, ndërsa është e pesta me 13 pikë.
Java e dhjetë nisi një ditë pasi përfundoi java e nëntë kampionale. Të shtunën u luajt derbi i javës së nëntë në mes të kampionit Bashkimit dhe Rahovecit. Fitore shënoi Bashkimi me shifrat 103:93.
Tri ndeshjet tjera të javës së dhjetë janë të martën. Nga ora 17:00 luhet takimi Trepça - Lipjani, ndërsa prej orës 19:00 janë dy ndeshje: Ponte Prizreni - Bashkimi dhe Rahoveci - Golden Eagle Ylli. Në të dy këto ndeshje pritet rivalitet i madh.