Sigal Prishtina nuk ka hasur në telashe për ta fituar ndeshjen e xhiros së 17-të të Superligës së Kosovës në basketboll. Të dielën mbrëma në Prishtinë, skuadra vendase fitoi ndaj Vëllaznimit me rezultat 88:61. Dallimi u bë në çerekun e dytë e vazhdoi edhe në të tretin.
Dustin Thomas udhëhoqi Prishtinën me 25 pikë e katër kërcime. Lejson Zeqiri i kishte 11 pikë, nëntë asistime e gjashtë kërcime. Ndërkohë Both Gach shtoi 17 pikë. Në këtë ndeshje te Prishtina debutoi trajneri Ahmet Kandemir. Jordan Harris ishte më efikasi te Vëllaznimi me 16 pikë.
William Brown i kishte nëntë pikë e nëntë kërcime. Prishtina tani i ka njëmbëdhjetë fitore e pesë humbje. Vëllaznimi pësoi humbjen e dhjetë. I ka shtatë fitore.