Sigal Prishtina ka pësuar disfatë nga Vëllaznimi të enjten mbrëma në ndeshjen kthyese të çerekfinales së Kupës së Kosovës në basketboll.
Por, fitorja 74:69 në ndeshjen e zhvilluar në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, nuk i ka mjaftuar skuadrës gjakovare të kalojë në gjysmëfinale.
Ka vendosur triumfi i “bardhekaltërve” në palestrën “Shani Nushi” para dy javësh. Sigal Prishtina atë ndeshje e fitoi 82:68.
Të enjten mbrëma në palestër u kthyen në përkrahje të Sigal Prishtinës edhe tifo-grupi “Plisat”.
“Plisat” morën në duar drejtimin e klubit. Udhëheqësi i tyre, Rinor Grajqevci, u bë ushtrues detyre i kryetarit. Vendimin e ka nënshkruar kryetari i klubit, Bekë Berisha.
Sigal Prishtina pjesën e parë e mbylli me dy pikë epërsi, 38:36.
“Bardhekaltrit” e fituan edhe çerekun e tretë 16:10 dhe me tetë pikë hynë në periudhën e fundit. Vëllaznimi i barazoi shifrat në 54:54, shtatë minuta e gjysmë para fundit dhe më pas kaloi në epërsi të cilën e mbajti deri në fund. Por, nuk e shkriu diferencën e pikëve nga humbja e ndeshjes së parë dhe u eliminua.
Kelby Kramer e udhëhoqi Sigal Prishtinën në fitore me 14 pikë e shtatë kërcime, Deondre Burns i pati 10 pikë, gjashtë asistime e katër kërcime, kurse kontribut në fitore dha edhe Altin Morina me pesë pikë, pesë kërcime e katër asistime.
Te Vëllaznimi me lojë të mirë u dallua sërish Jericole Hellems. Hellems i shënoi 25 pikë, ndërsa pati edhe tetë kërcime e një asistim. Pos tij, lojë të mirë pati edhe Samir Zekiqi me 13 pikë, shtatë kërcime e tri asistime.
Sigal Prishtina në gjysmëfinale do të luajë ndaj Bashkimit që e eliminoi GO+ Pejën.