Sport

Prishtina 01 synon raundin elitë të Championsit

Kampionia dhe fituesja e Kupës së Kosovës në futsall, Prishtina 01, ka bërë rrugë të gjatë deri në Lituani, ku do të zhvillohen ndeshjet e Grupit 7 të raundit kryesor të Ligës së Kampionëve.

Nga udhëtimi i gjatë skuadra prishtinase synon të kthehet triumfuese. Pra të kualifikohet në raundin elitë të Championsit në futboll të sallës.

Trajneri Haki Ahmeti thotë se lojtarët e Prishtina 01 duhet të djersiten shumë për të realizuar synimin për të kaluar në raundin elitë. Ai thotë se motivi dhe optimizmi nuk mungojnë te lojtarët.

“Jemi shumë të përgatitur për këtë raund të garave. Lojtarët janë në formë shumë të mirë dhe pres që këtë formë ta dëshmojnë edhe në parket gjatë ditëve të ardhshme. Jemi po ashtu të motivuar dhe optimist për të kaluar në raundin elitë. Do të jetë e vështirë, pasi nuk luajmë para shikuesve tanë. Por motivi është shumë i madh. Kemi arritur deri në këtë fazë me shumë sukses dhe synojmë ta kalojmë edhe këtë raund. Kemi optimizmin se mund t’ia dalim dhe mos të na shkojë dëm mundi për të ardhur deri në Lituani. Ka qenë një rrugë e gjatë dhe e lodhshme për ne. Kemi bërë rrugë 23 orë dhe uroj që të na shpërblehet me kualifikim në raundin tjetër”, ka thënë Ahmeti të martën për KOHËN.

Në “Main Round”, Prishtina 01 do të luajë kundër Kauno Zhalgiris të Lituanisë, Kampuksen Dynamo të Finlandës dhe AEL Limassolit të Qipros. Vetëm fituesi i grupit avancon.

Prishtina 01 ndeshjen e parë e luan të mërkurën prej orës 15:00 ndaj ekipit finlandez. Të dytën e ka të enjten ndaj ekipit lituanez, prej orës 18:00. Ndeshjen e tretë e ka kundër Limassolit më 28 tetor.

Shorti për raundin elitar tërhiqet më 2 nëntor, ndërsa ndeshjet luhen nga 28 nëntori deri më 3 dhjetor.

“Ndeshjen e parë e kemi kundër ekipit finlandez. Pres ta nisim mbarë këtë raund të garave. Ndërkohë ndeshjen e dytë e kemi ndaj ekipit të Lituanisë. Do të jetë ndeshja kryesore dhe më e vështira për ne. Por me angazhim maksimal dhe me pak fat mund t’ia dalim ta mposhtim Zhalgrisin”, është shprehur Ahmeti.

Prishtina 01 ka kaluar në fazën e dytë të Ligës së Kampionëve pasi e fitoi grupin në raundin preliminar.