Sport

Prishtina 01 e Liqeni kërkojnë trofeun e parë të sezonit në futsall

Prishtinë, 3 maj – Prishtina 01 dhe Liqeni janë përballur dy herë kundër njëra-tjetrës në edicionin aktual të futsallit të Kosovës. Të dyja ndeshjet i ka fituar thellë Prishtina 01. Një fitore e ka arritur me rezultat 5:1, ndërsa tjetrën 5:2. Të tretën do ta luajnë të enjten në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë nga ora 20:00. Do të luhet finalja e Kupës së Kosovës në futsall.

Për trajnerin e Prishtina 01, Haki Ahmeti fitoret në kampionat i takojnë të kaluarës. Ai nuk bazohet në rezultatet e kaluara, pasi thotë se finalja dallon nga ndeshjet kampionale.

“Pavarësisht që i kemi fituar dy ndeshjet ndaj tyre, kjo është finale. Nuk u dihet asnjëherë finaleve. Por, të motivuar jemi shumë dhe pres fitore nga lojtarët e mi. Jemi përgatitur maksimalisht për këtë finale. I kam të gjithë lojtarët në dispozicion. Do të jetë një finale e dy skuadrave më të mira në Kosovë. Kam besim të plotë se do t’ia dalim. Triumfi në Kupë do të jetë motiv shtesë edhe për fazën e fundit të kampionatit. Lojtarët janë gati për këtë sfidë”, ka thënë Ahmeti për KOHËN.

Prishtina 01 kryeson në Superligën e Kosovës në futsall. Prishtina 01 është edhe në finale të Kupës, të cilën e kishte fituar para tre vjetësh me Agon Ramadanin në krye të skuadrës. Ramadani tani e udhëheq Përfaqësuesen e Kosovës.

01 deri në finale pati rrugë të vështirë. E eliminoi Prishtinën, ndërsa më pas Trepçën e Malishevën.

Ndërkohë, Liqeni deri në finale të Kupës pati rrugë dukshëm më të lehtë se Prishtina 01. Skuadra nga Drenasi eliminoi Jetonin e Ligës së Parë, ndërsa ndaj Vjosës fitoi me rezultat zyrtar. Në finale u kualifikua pa lojë.

Liqeni ka dominuar futbollin e sallës në Kosovë në dy edicionet e fundit. Sukseset e arritura në ligë e në Kupën e Kosovës skuadra nga Drenasi i kërkon edhe në këtë edicion.

Liqeni është fitues i dy edicioneve të fundit në elitën e futsallit të Kosovës, ndërsa Kupën e Kosovës e ka fituar në edicionin 2020/2021.

Trajneri i Liqenit, Shpend Ibrahimi, shpreson ta rikthejnë trofeun e Kupës në Drenas.

“Jemi përgatitur maksimalisht për këtë finale. Ne e kemi fituar këtë Kupë, por nuk do të thotë që nuk e synojmë sërish ta fitojmë. Triumfi në Kupë e ka vendin e vet, pasi për këtë edhe luajmë gjatë gjithë edicionit. Do të ketë një përballje në mes dy skuadrave më kualitative. Jemi të kompletuar dhe besoj se do t’ia dalim ta fitojmë Kupën. I njohim mirë lojtarët e Prishtinës 01. Kemi punuar maksimalisht dhe i kemi analizuar. Na mbetet që vetëm t’i ndëshkojmë në pikat e tyre më të dobët”, ka thënë Ibrahimi.