Sport

Prishtina 01 dhe Liqeni gati për serinë finale të plejofit

Lojtari i Prishtinës 01, Shefki Kameri dhe ai i Liqenit, Anton Uka, janë paraqitur bashkë në konferencë para ndeshjes së parë finale të plejofit të futsallit.

Si Kameri ashtu edhe Uka janë shprehur optimistë para ndeshjes së parë finale që luhet të premten në Prishtinë.

Kampioni shpallet me dy fitore. Nëse fituesi nuk përcaktohet pas dy ndeshjeve, përcaktues për kampion do të jetë ndeshja e tretë. Prishtina 01 ka përparësinë e terrenit vendës, pasi sezonin e rregullt e mbylli si lider.

“Fitorja në finalen e Kupës së Kosovës do të thotë shumë për ne, por nuk duhet të krenohemi me këtë, pasi ajo është e shkuara. Tani kryesorja është finalja e play-offit. Mendoj dhe shpresoj që ta përsërisim ndeshjen e njëjtë, pasi jemi përgatitur për këtë sukses. Shpresoj që do të kemi përkrahjen e tifozëve që do të thotë shumë për ne, dhe në fund të dalim fitimtar”, ka thënë kapiteni i Prishtina 01, Shefki Kameri.

Ndeshja e dytë finale do të luhet më 6 qershor në Drenas, ndërsa e treta eventuale më 11 qershor në Prishtinë.

“Kemi analizuar kundërshtari që nga humbja në Kupën e Kosovës. Ne e bëjmë analizën e lojë dhe kemi arritur t’i përmirësojmë disa gjëra të vogla dhe jemi përgatitur maksimalisht për finalen”, ka thënë Uka.

Prishtina 01 është fituese e Kupës. Në finale mposhti Liqenin.

Kampioni i dy edicioneve të fundit të Superligës së futsallit është Liqeni.