Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Presidenti i La Ligas flet për racizmin

La Liga do të mund t’i ulte incidentet për racizëm në elitën e futbollit të Spanjës në vetëm gjashtë apo shtatë muaj, nëse do t’i kishte “kompetencat e nevojshme”, ka thënë presidenti i ligës, Javier Tebas.

Liga spanjolle ka kërkuar më shumë dënime për t’i larguar incidentet me racizëm.

Kjo thirrje ka ardhur pas rastit të fundit, ku i përfshirë sërish ishte sulmuesi i Real Madridit, Vinicius Junior.

Në drejtim të Viniciusit pati thirrje raciste në ndeshjen e së dielës, ku Real Madridi humbi në udhëtim te Valencia, 1:0.

“Jemi të bindur se nëse do t’i kishim fuqitë, brenda muajsh nuk do t’i kishim këto probleme”, ka thënë Tebas ndër të tjera për BBC-në të enjten.

Viniciusi ka qenë cak i fyerjeve raciste disa herë në këtë sezon. Të mërkurën mbrëma, ai mori përkrahje të madhe nga tifozët dhe bashkëlojtarët në fitoren e madrilenëve 2:1 kundër Rayo Vallecanos.