Presidenti i Federatës së Futbollit të Francës, Noel Le Graët, është nën hetim për “ngacmim seksual” dhe “ngacmim moral”, tha të martën zyra e prokurorit të Parisit. Në një njoftim të lëshuar zyra e prokurorit u tha se hetimi u hap të hënën pas një raporti nga Inspektorati i Përgjithshëm i Arsimit e Sportit. Ai do të kryhet nga një njësi e posaçme e Policisë e dedikuar për krime kundër individëve.
Hetimi filloi pasi agjentja sportive Sonia Souid akuzoi Le Graetin për sjellje të pahijshme gjatë disa vjetëve, duke thënë se ai ishte i interesuar për të vetëm në aspektin seksual. Souid tha në një intervistë për të përditshmen sportive “L'Equipe” se Le Graet vazhdimisht u përpoq t'i afrohej asaj gjatë periudhës 2013–017.
81-vjeçari Le Graet ra dakord javën e kaluar të tërhiqej nga detyrat e tij si president i Federatës, pas një takimi urgjent të komitetit ekzekutiv. Le Graet është përballur me disa pretendime për ngacmim seksual dhe Federata e futbollit është objektivi i një hetimi të urdhëruar nga ministrja franceze e Sportit, Amelie Oudea-Castera. Le Graet, i cili gjithashtu është kritikuar këtë muaj për mosrespektim ndaj të madhit të futbollit francez, Zinedine Zidane, ka pranuar të largohet nga roli i tij derisa gjetjet e auditimit të jenë shqyrtuar plotësisht nga komiteti ekzekutiv, me gjasë deri në fund të janarit. Deri atëherë ai do të zëvendësohet në detyrë për periudhë të përkohshme nga zëvendëspresidenti i Federatës, Philippe Diallo.
Oudea-Castera urdhëroi një hetim ndaj Federatës në shtator pasi Federata tha se do të ngrinte një padi për shpifje kundër revistës “SoFoot”, e cila raportoi se Le Graet dyshohet se ngacmonte disa punonjëse. Revista franceze publikoi një hetim prej gjashtë faqesh duke cituar ish-punonjëse dhe punonjëse aktuale, si dhe mesazhe të papërshtatshme që Le Graet dyshohet se u dërgonte femrave. Le Graet u rizgjodh për një mandat katërvjeçar në krye të Federatës franceze në muajin mars të vitit të kaluar.
Ai është aktualisht kandidat edhe për një mandat tjetër katërvjeçar në Këshillin e FIFA-s, komitetin vendimmarrës të organit ndërkombëtar të futbollit.
Edhe
Jep dorëheqje presidenti i federatës së Francës
Agjentja Souid, e cila tha se u takua për herë të parë me Le Graetin në vitin 2013, shtoi për “L'Equipe” se ai i dërgoi asaj mesazhe për ta kërkuar ose për t'i thënë se i mungonte. Souid tha se ai kurrë nuk shkoi shumë larg verbalisht, por e kishte të qartë se duhej të kishte marrëdhënie seksuale me Le Garetin për të çuar përpara idetë e saj.
“Ai kurrë nuk më shikonte si agjente, por si një karamele”, tha ndër të tjera Souid.
Souid tha se ishte lënduar nga qëndrimi i Le Graetit dhe se ajo mendonte t'i jepte fund karrierës si agjente. E pyetur nëse Le Graet e ndihmoi atë profesionalisht në ndonjë moment, Souid tha se ai e ndihmoi të gjente numrin e telefonit të trajneres Corinne Diacre dhe u përpoq ta ndihmonte me biletat e aeroplanit të klasit të biznesit për lojtaren franceze Amandine Henry.
Nëpërmjet një komunikate, Le Graet tha se është i habitur me akuzat.
Edhe
Akuza të reja për sjellje të pahijshme ndaj presidentit të federatës franceze
“Në këtë fazë nuk i di as faktet për të cilat akuzohem dhe as personat që qëndrojnë pas tyre. Në përgjithësi jam i befasuar që informacioni mund të zbulohet edhe pse raporti i ndërmjetëm nuk më është dërguar ende dhe nuk kam mundur të paraqes vërejtjet e mia”, ka shkruar Le Graet.
Kjo aferë ka lënë nën hije edhe Përfaqësuesen e Francës, e cila muajin e shkuar u mposht në finalen e Kupës së Botës “Katari 2022” nga Argjentina me penallti. Franca rikthehet në aksion në muajin mars kur edhe fillon kampanja e ndeshjeve kualifikuese për “Euro 2024” që do të mbahet në Gjermani. Ndërkohë, Përfaqësuesja e futbollisteve, që renditet e pesta në botë, tashmë është kualifikuar në Kupën e Botës të këtij viti, e cila zhvillohet në Australi dhe Zelandë të Re gjatë muajve korrik dhe gusht.