Presidenti i Komitetit Olimpik të Evropës (EOC), Spyros Capralos, ka besim se Kosova ka kapacitet për t’i organizuar në mënyrën më të mirë të mundshme Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”. Ai pret që shteti ta përkrahë maksimalisht edhe Komitetin Olimpik të Kosovës gjatë zhvillimit të Lojërave Mesdhetare në vitin 2030.
Më 8 shtator, Kosovës iu besua organizimi i Lojërave Mesdhetare të vitit 2030.
Në prezantimin e kandidaturës ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për të cilin Capralos tha se në Greqi ka zhvilluar takim interesant.
Capralos të dielën u prit nga presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi. Të hënën ka mbajtur konferencë për shtyp.
“Qeveria juaj është duke iu mbështetur, gjë e cila do të vazhdojë tutje edhe gjatë organizimit të Lojërave Mesdhetare 2030. Çdo gjë është e mundur andaj mbetet të shihet se çfarë organizimi do të bëjë Kosova. Është një kohë e vështirë në përgjithësi për sportin në Evropë, andaj, do të doja t’iu them se jam i kënaqur me rininë dhe sportin në Kosovë. Kemi dëgjuar për fëmijët të cilët mund të praktikojnë sportet në shkollat e tyre dhe gjithashtu ju keni arritur një mundësi të mirë”, ka thënë Capralos në konferencën për media.
Ai përgëzoi xhudistët e Kosovës për medalje. Por pret që Kosova të fitojë medalje olimpike edhe nga sportistë të disiplinave të tjera.
“Ne do të vazhdojmë të mbështesim Kosovën në sport. Ne jemi këtu për të ndihmuar të sjellim medalje, çmime etj. Ju keni arritur të merrni medaljen të arta në xhudo në Tokio andaj edhe në Paris mendoj se do të ndodhë e njëjta”, tha ai.
Edhe
“Lojërat” në Kushtetuese, Qeveria e quan akt të paprecedent
Edhe presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, premtoi angazhim që gjithçka të jetë gati në kohën e duhur për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
“U përgëzuam nga zotëri Capralos për gjitha punët dhe progresin gjatë kësaj kohe të shkurtër dhe padyshim që ne e falënderuam për mbështetjen që e kemi marrë nga Komiteti Olimpik i Evropës duke nisur nga përkrahja financiare dhe projekteve të ndryshme së bashku me EJU-në. Besoj se këto punë dhe aktivitete do t’i vazhdojnë edhe më tutje”, ka thënë Krasniqi.
I pari i Komitetit Olimpik Evropian është takuar të hënën edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.