Sport

Prej transferimit të Sarandës do të përfitojë i gjithë basketbolli i femrave

Të premten shkëlqeu me 29 pikë, 31 kërcime, pesë asistime e shtatë bllokada. Të martën bëri hapin që nuk e ka bërë asnjë basketbolliste kosovare deri më tani.

Saranda Daci po vendos standard të ri sa i takon basketbollit të femrave në vend. Ajo të martën është transferuar te skuadra Slovanka MB, që garon në Superligën e Çekisë. Superliga çeke vlerësohet e nivelit dukshëm më të lartë se Superliga e Kosovës. Dhe Saranda është e para basketbolliste që nga Kosova transferohet në nivel senior në ndonjë ligë evropiane. Ka pasur lëvizje të lojtareve për në SHBA dhe në klube evropiane, por në kategori të reja. Por jo edhe transferim si ky i Sarandës, në ekipin senior të ndonjë klubi nga liga evropiane.

Lëvizja e Saranda Dacit vlerësohet me shumë peshë edhe nga Federata e Basketbollit e Kosovës. Ajo largohet nga Kosova pasi ka fituar krejt çka mund të fitohet në nivel të vendit.

“Për karrierën time në basketboll, këtë transferim më duhet ta vlerësoj maksimalisht. Është i rëndësishëm për rrugëtimin tim drejt Evropës, ku mendoj se do të luaj basketboll edhe më cilësor se deri më tani”, ka thënë Saranda Daci për KOHËN.

Ajo këtë vit ka nënshkruar për dy vjet me një agjenci për transferimin e lojtarëve. Ishte nigeriania Aisha Balarabe që ka luajtur më parë te Bashkimi, që ndihmoi në hapin e rëndësishëm të Dacit.

“Ajo ishte te Bashkimi për gjysmë edicioni dhe gjatë kohës sa e kalonim në ushtrime dhe në ndeshje, i ka parë cilësitë e mia. Më njoftoi me agjentin, me synim për të bërë hapa para në basketboll. Jam falënderuese ndaj Aishas, jam me fat që e kam njohur”, ka shtuar Daci.

Ajo pret të japë më të mirën për të shfaqur vlerat edhe në Çeki. Menjëherë këtë javë do të udhëtojë për në Çeki.

“Bëhet fjalë për njërën prej 20 ligave më të forta në botë. Ka ekipe që marrin pjesë në Eurocup dhe Euroleague. Ekipi im nuk është ende i kompletuar, por në ditët në vazhdim do të jetë gati. Ekipi momentalisht ka vetëm vajza të reja dhe është në mesin e tabelës. Por natyrisht synimi është për më lart”, ka theksuar basketbollistja pejane.

Ajo ka firmosur deri në fund të edicionit aktual. Është e bindur se do të ketë sukses në kampionatin çek.

“Ndoshta jam e para që transferohem në Superligën e një shteti evropian. Por jam me shpresë që shpejt edhe të tjera do të kenë nivelin dhe rastin për lëvizje të tilla. Kemi talente dhe besoj që do të vijnë gjenerata të arta”.

Lëvizja e Sarandës bëhet në kohën kur Përfaqësuesja e Kosovës për herë të parë do të garojë në skenën evropiane. Vitin tjetër Përfaqësuesja A e basketbollisteve do t’i ketë ndeshjet e para zyrtare. Prej Saranda Dacit natyrisht pritet shumë.

“Fakti se me Përfaqësuese luajmë për herë të parë, më ka motivuar edhe më shumë që të përgatitem maksimalisht. Pasi do të luaj në një skuadër evropiane, besoj se do të kem edhe stërvitje më të forta. Natyrisht, pres që edhe cilësia ime të ngrihet. Ne të gjitha mezi presim të luajmë për Kosovën dhe nuk kam asnjë dyshim që të gjitha do të ofrojmë maksimumin”, thotë shtatlarta Daci (193 cm).

27-vjeçarja ka fituar trofe me të gjitha skuadrat ku ka luajtur në Kosovë. Ajo e kishte nisur karrierën në moshën 14-vjeçare te Penza në Pejë. Me Penzën ka fituar shtatë trofe dhe thotë se ishte periudha më e mirë e fëmijërisë së saj. Kur ishte në studime luajti për Prishtinën. Për katër vjet fitoi tetë trofe. Së fundi ishte te Bashkimi i Prizrenit dhe për një vit e gjysmë fitoi tre trofe.

“Bashkimi është ekipi më i organizuar, është ekip profesionist në Ligën e femrave. Gjatë tërë karrierës kam luajtur në pozitat katër e pesë. Kam kontribuar aty ku ka pasur nevojë ekipi”, ka theksuar Daci. Tani ajo kontributin do ta japë në kampionatin çek.

“Transferimi që ka bërë Saranda është shumë gjë e mirë për basketbollin e femrave. Është hera e parë që kemi një lëvizje të tillë. Për lojtaret e reja është gjë pozitive po ashtu, për të pasur model Sarandën”, thotë Elvira Dushku, sekretare e përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës.