Sport

Poshtërimi i Rangersit në Champions

Humbja 7:1 e Rangersit nga Liverpooli vendosi një rekord të ri të zi për gjigantët e Glasgowit në Skoci. Por ishte vetëm mësimi i fundit për klubet skoceze në Ligën e Kampionëve. Pas vetëm katër ndeshjeve të fazës së grupeve, si Celtic, ashtu edhe Rangers tashmë janë eliminuar nga Championsi dhe kanë nevojë për një seri rezultatesh pozitive për të pasur ndonjë shans që garat t’i vazhdojnë në Ligën e Evropës. Niveli i dytë evropian është ai me të cilin janë mësuar dy ekipet më të mëdha të Skocisë në vitet e fundit. Është niveli ku janë më të mbrojtura nga hendeku financiar që i ndan nga elita evropiane.

Rangersi madje arriti në finalen e Ligës së Evropës vetëm pesë muaj më parë, ku vetëm një penallti i ndau futbollistët e trajnerit Giovanni van Bronckhorst nga lavdia kundër Eintracht Frankfurtit në Sevilla. Të mërkurën mbrëma, Van Bronckhorst shihej i brengosur teksa qëndronte para mediave, duke u përpjekur të shpjegonte kapitullimin e pjesës së dytë që pa Rangersin të pranojë shtatë gola në shtëpi për herë të parë ndonjëherë. Gjithçka bëhet më e hidhur për Rangersin për faktin se Liverpooli deri më tani këtë sezon është dukur larg skuadrës që iu afrua fitimit të katër trofeve sezonin e kaluar. Futbollistët e Juergen Kloppit kanë fituar vetëm pesë ndeshje gjatë gjithë sezonit - dy prej të cilave kanë ardhur kundër Rangersit në gjashtë ditë. Rangersi u kthye në Champions pas 12 vjetësh dhe kaloi në epërsi në fillim të ndeshjes, përpara se të pranojë shtatë gola nga Liverpoolit. Një rikthim në garën kryesore të futbollit evropian u festua si kulmi i rilindjes së Rangersit nga ligat më të ulëta të futbollit skocez gjatë dekadës së fundit. Por ëndrra është kthyer shpejt në një makth, pasi katër ndeshje rezultuan me po aq humbje dhe 16 gola të pësuar.

“Performanca, rezultati... nuk është mënyra se si ne duam ta përfaqësojmë këtë klub”, pranoi Van Bronckhorst. “Ne nuk kemi justifikime”.

Një faktor lehtësues për ish-kapitenin holandez është hendeku i madh në burimet që i ofrohen atij dhe Juergen Kloppit. Trajneri i Liverpoolit ishte në gjendje të inkuadronte Mohamed Salahun nga stoli për të shënuar “hat-trickun” më të shpejtë në Champions në pak më tepër se gjashtë minuta. Po ashtu gol në këtë ndeshje për Liverpoolin shënoi edhe transferimi kryesor i verës, Darwin Nunez, i cili kushtoi më shumë se buxheti i Rangersit për edicionin 2020/21.

Edhe Celticu ka pasur fatin e njëjtë sikurse Rangersi, duke pranuar nga shtatë gola në ndeshjet kundër Barcelonës e Paris Saint-Germainit këtë edicion në fazën e grupeve. Mirëpo, për dallim prej Rangersit, skuadra e Celticut ka fituar një pikë përkundër poshtërimit që ka përjetuar. Siguroi një barazim ndaj Leipzigut të Gjermanisë.

Kampanja e Celticut në Champions është përshkruar nga rastet e shumta që i ka humbur, duke pasur parasysh se ka shënuar vetëm dy gola në 41 goditje në portë në katër ndeshje.

“Për këtë arsye klubet e tjera shpenzojnë shumë para në lojtarët që mund të shënojnë gola. E për ne pjesa më e vështirë e ndeshjes po del të jetë shënimi i golave”, ka thënë trajneri i Celticut, Ange Postecoglou.