Futboll

Kur Liverpooli si fitues në fuqi u paraqit në raundin e parë kualifikues të Championsit

liga e kampioneve

Pa shumë bujë dhe pa skuadrat më të mëdha evropiane, sot nisë edicioni i ri i Ligës së Kampionëve në futboll. 

Vetëm 38 ditë pasi PSG-ja shkatërroi Interin në finale, fillon kampanja e re në garën elitare evropiane. Në raundin e parë kualifikues paraqiten 28 skuadra, të gjitha kampione të vendeve të tyre. 

Vetëm Lihtenshtajni, që nuk ka ligë, dhe Rusia, që vazhdon të jetë e suspenduar, nuk përfaqësohen në Champions.

Deri te faza e ligës, që prej vjet e zëvendëson fazën grupore, janë katër raunde kualifikuese. Deri më tani vetëm dhjetë skuadra ia kanë dalë që të nisin garimin në raundin e parë kualifikues dhe të arrijnë deri në fazën grupore, përkatësisht në fazën e ligës. 

Këtu përfshihet edhe skuadra sllovake, Slovan Bratislava, që vjet arriti në fazën e ligës. Slovani eliminoi Strugën, Celjen, Apoelin dhe Midtjyllandin. Në fazën e ligës i humbi të gjitha tetë ndeshjet. Por vetëm me kualifikim në fazën e ligës klubi sllovak përfitoi mbi 17 milionë euro. Dhe Slovani e luajti vetëm një ndeshje më pak se PSG-ja, që fitoi titullin.

Vetëm një ekip ka arritur në fazën nokaut të Championsit pasi ka nisur garimin në raundin e parë kualifikues. Bëhet fjalë për gjigantin anglez, Liverpool. Kampioni në fuqi i Anglisë këtë e arriti në edicionin 2005/06.

Në fakt Liverpooli ishte fitues i Ligës së Kampionëve në edicionin 2004/05. E kishte fituar në penallti finalen ikonike ndaj Milanit. Por në Premier League “të kuqtë” kishin përfunduar vetëm në vendin e pestë. Atëbotë fituesi në fuqi i Championsit nuk kualifikohej direkt dhe përmes kampionatit anglez Liverpooli nuk ishte kualifikuar. Ndërhyri UEFA që me “përjashtim të veçantë” i mundësoi Liverpoolit të paraqitet edhe në edicionin 2005/06 të Championsit. Por duke nisur nga raundi i parë kualifikues. Liverpooli kishte kaluar tri raunde të atëhershme kualifikuese e më pas e fitoi edhe grupin në Champions. U ndal në një të tetën e finales.

Kampioni i San Marinos, Virtusi, është ekipi i ranguar dukshëm më së ulëti që po paraqitet në Champions. Të gjithë lojtarët dhe trajnerët e kësaj skuadre kanë vende të tjera të punës.

Në rangimin dhjetëvjeçar të UEFA-s, Virtusi është i 552-ti prej 554 skuadrave gjithsej. Në këtë rangim janë përfshirë vetëm skuadrat që kanë luajtur më parë në Evropë. Virtusi edicionin e kaluar debutoi në Evropë, ndërsa humbi 11:1 nga ekipi rumun FCSB.

Debutuesi i vetëm në Champions është Noah nga Armenia. Kjo skuadër vjet kaloi të gjitha raundet kualifikuese në Ligën e Konferencës dhe u paraqit në fazën e ligës. Një ndeshje aty e humbi 8:0 nga Chelsea.