Sport

Portierja nga Kosova që debutoi me 16 vjet në Bundesligë

Është ende 17-vjeçare dhe prej portiereve të vlerësuara në Gjermani. Aurora Kryeziu po zhvillohet në sistemin gjerman të hendbollit dhe e ardhmja e saj vlerësohet e ndritur. Ajo është pjesë e skuadrës gjermane, HSG Blomberg-Lippe. Bëhet fjalë prej një skuadrave të rëndësishme të Bundesligës së Gjermanisë dhe që është paraqitur për të garuar në Evropë. Aurora figuron të jetë pjesë e ekipit Blomberg-Lippe në sajtin zyrtar të Federatës Evropiane të Hendbollit. Por ajo nuk ka fituar rastin në ndeshje evropiane këtë edicion.

Te Blombergu është në vitin e dytë, ndërsa mburret që tashmë ka debutuar në Bundesligën gjermane. I ka tri paraqitje, të parën në dhjetor të vitit 2020. Në të vërtetë skuadrës Blomberg-Lippe i mungoi një portiere seniore dhe trajneri i ekipit të parë e befasoi Aurorën duke e ftuar në ndeshje. Më pas ishte pjesë e ekipit edhe dy herë të tjera.

“Aktualisht jam duke luajtur në Bundesligën e të rejave e po ashtu me ekipin e dytë të të rriturave në kategorinë e tretë gjermane. Jam shumë e kënaqur se si është zhvilluar karriera ime deri më tani. I kam tri ndeshje në Bundesligë, ku kam debutuar në moshën 16-vjeçare”, ka thënë Aurora Kryeziu të premten për KOHËN. Ajo flet rrjedhshëm shqip, ndonëse e lindur në Gldabeck të Gjermanisë. Tregon se ka vijuar shkollën shqipe në Gjermani.

Te Gladbecku e ka nisur karrierën si hendbolliste në moshën gjashtëvjeçare, ndërsa në verën e vitit 2020 e angazhoi Blombergu, bazuar në potencialin e shfaqur.

“Tani jetoj larg familjes, rreth dy orë larg shtëpisë. Jetoj në konvikt dhe pos hendbollit, edhe shkollohem. Te Blombergu do të jem të paktën edhe një vit e gjysmë, deri të përfundojë shkolla. Nëse dal në ekipin e parë dhe mbetem në Bundesligë atëherë do të qëndroj. Deri më tani ka shkuar mirë, por të shohim”, ka shtuar Aurora Kryeziu, që me prejardhje është nga Opoja.

Ajo shquhet me paraqitje të mira, kryesisht në ekipin e të rejave. Vjet ishte dalluar në serinë finale të ndeshjeve. Skuadra e Aurorës kishte humbur finalen e plejofit për titull të kampionit, por paraqitja e kosovares ishte vlerësuar shumë lartë.

Image

Aurora tashmë është kontaktuar nga Federata e Hendbollit e Kosovës. Ajo e respekton Përfaqësuesen e Kosovës, por aktualisht ka plane të tjera.

“Ende nuk kam luajtur për Gjermaninë, por jam pjesë e seleksioneve më të mëdha. Pra jam duke u vëzhguar nga Gjermania dhe synimi im është të luaj për Gjermaninë. Nga Kosova më kanë kontaktuar. Unë e respektoj Përfaqësuesen e Kosovës, por njëherë synoj të luaj për Gjermaninë. Në aspektin sportiv dhe të karrierës është me rëndësi nëse luaj për Gjermaninë”, ka theksuar Aurora Kryeziu, që ka shtetësi gjermane.