Mbrojtësi i Shpresave të Kosovës, Valon Zumberi ,po e vazhdon zhvillimin gradual te skuadra e njohur gjermane Hamburg. Ndonëse vetëm 18-vjeçar, Zumberi të hënën pritet të bashkohet me ekipin e parë të Hamburgut, që garon në Bundesliga 2. Këtë e ka bërë të ditur vetë futbollisti për KOHËN.
Zumberi ka kontratë me Hamburgun deri në qershor të vitit 2023. Por gjithë zhvillimin e ka bërë te kjo skuadër. Fillimisht ka luajtur për më të rinjtë e më pas për U16, U17 e U19 të Hamburgut. Këtë edicion po paraqitet në ekipin e dytë të këtij klubi të njohur. Ekipi i dytë garon në kategorinë e katërt gjermane. Deri më tani ka luajtur në dhjetë prej 12 ndeshjeve të zhvilluara. E ka shënuar një gol.
Edhe te Kosova, zhvillimi i Zumberit ishte gradual. Fillimisht luajti për U16 e më pas me shumë sukses për U17, ku ishte edhe kapiten. Tani është te Kosova U21. I ka katër ndeshje të zhvilluara dhe vlerësohet prej lojtarëve me potencial.
“Menaxheri më ka njoftuar që prej nesër kaloj në ekipin e parë të Hamburgut. Në fillim jam ftuar që të ushtroj, por me gjasë edhe që të luaj, pasi ekipi ka probleme në mbrojtje. Por të shikojmë si do të rrjedhin gjërat”, ka thënë Zumberi për KOHËN.
“Deri më tani kam qenë në ekipin e dytë dhe kam luajtur mirë në kategorinë e katërt gjermane. Me sa duket edhe drejtuesit e klubit janë të kënaqur me mua. Kanë besim në mua si lojtar dhe vlerësojnë se sa jam zhvilluar”, ka shtuar Zumberi.
Hamburgu aktualisht është në vendin e shtatë në Bundesliga 2 të Gjermanisë. Është prej klubeve me nam në futbollin gjerman.