Më 28 tetor debutoi në përfaqësuesen A të Kosovës e më 9 nëntor debutoi në Bundesligë.
Futbollistja Sara Sahiti po jep shenja që ka të ardhme të ndritur. Befasi apo jo, Sara po zhvillohet te Hoffenheimi, klubi ku aktualisht paraqiten tre prej reprezentuesve kryesorë të Kosovës. Fisnik Asllani, Albian Hajdari e Leon Avdullahu janë startues te Kosova dhe po ashtu te skuadra e Bundesligës gjermane.
Në ekipin e futbollisteve të Hoffenheimit, Sara Sahiti e luajti ndeshjen e parë në Bundesligë pak ditë më herët. 19-vjeçarja luajti nga minuta e 73-të në distfatën 1:0 nga Kolni. Por fakti që e fitoi rastin në ndeshjen e elitës gjermane, është dëshmi që Sara Sahiti po zhvillohet mirë.
“Jam shumë e lumtur dhe krenare që kam debutuar në Bundesligë. Është një ëndërr që e kam pasur nga fëmijëria. Dhe jam shumë e gëzuar që e kam arritur këtë moment”, ka thënë Sara Sahiti për KOHËN.
Ajo pret të fitojë minuta edhe në ndeshjet e ardhshme kampionale. Tregon se po punon shumë në stërvitje që ta fitojë besimin e trajnerëve dhe që të tregojë se meriton të luajë në njërën prej ligave kryesore për futbolliste në botë.
Te Kosova A, Sahiti luajti gjithë pjesën e dytë në disfatën 3:0 nga Turqia, në fund të tetorit. Ndonëse jo rezultat i mirë, Sara është e lumtur që ka nisur me ndeshje te Kosova A.
“Jam shumë e lumtur për ndeshjen e parë me Kosovën A. Ishte nder i madh për mua ta veshi fanellën e Kosovës. Edhe pse humbën në Turqi, megjithatë ishte një moment shumë i veçantë për mua”.
Futbollistja e talentuar në muajin shkurt ishte në një grumbullim me përfaqësuesen U19. Dhe muajin e kaluar u ftua në ekipin e të rriturave. Thotë se këto grumbullime e kanë ndihmuar që të zhvillohet tutje si lojtare.
Sara luan në sulm e në mesfushë. Tregon që me futboll ka nisur që në moshën gjashtëvjeçare, duke u motivuar nga vëllai që po ashtu luajti futboll.
Gjatë zhvillimit ka luajtur edhe në ekip me djem, ndërsa prej fillimit të vitit 2017 është te Hoffenheimi.
Ajo ishte pjesë e përfaqësueseve të reja të Gjermanisë, përkatësisht të grupmoshave prej U15 deri në U17. Ndërkohë është bashkuar me Kosovën.
“Planet e mia janë që të përmirësohem edhe më shumë, të fitoj më shumë minuta dhe të bëhen një lojtare e rëndësishme si në klub ashtu edhe në Kombëtare. Dua të vazhdoj të rritem si futbolliste”.
Këtë edicion, Sahiti i ka edhe nëntë paraqitje në ekipin e dytë të Hoffenheimit në ligën regjionale. I ka shënuar pesë gola.
Sara Sahiti ka prejardhje prej Gjilanit, ndërsa është e lindur në Gjermani. Ajo është e lumtur që ka edhe shqiptarë tjerë te Hoffenheimi. Thotë se klubi është shumë i hapur dhe se ndihet mirë të jetë pjesë e tij.
Deri në verën e këtij viti te Hoffenheimi ishte edhe kapitenia e Kosovës, Erëleta Memeti, tani pjesë e Eintracht Frankfurtit, klubit tjetër të Bundesligës.