Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ponte mposht Rahovecin në ndeshjen e vetme të së enjtes

Edhe të enjten është luajtur vetëm një ndeshje në Superligën e Kosovës në basketboll, njëjtë si të mërkurën.

Shkaku i rasteve me COVID-19 dhe dyshimeve për të infektuar të tjerë, në kuadër të xhiros së katërt janë zhvilluar vetëm dy ndeshje prej katër sa ishin të parapara.

Të enjten, Rahoveci ka pësuar humbje në palestrën “Mizahir Isma” nga skuadra e Ponte Prizrenit, derisa dueli mes Sigal Prishtinës dhe Golden Eagle Yllit është shtyrë për një datë tjetër.

Ponte Prizreni e ka fituar ndeshjen me shifrat 82:77 për ta regjistruar fitoren e dytë këtë edicion. Në fakt, Ponte Prizrenit i është nevojitur vazhdimi prej pesë minutave për ta siguruar fitoren pasi koha e rregullt e ndeshjes është mbyllur me rezultatin 75:75. Në vazhdime, basketbollistet e Ponte Prizrenit ishin shumë më efikas pasi shënuan shtatë pikë karshi vetëm dy pikëve të Rahovecit. Amerikani Xavier Cannefax, që iu bashkua Ponte Prizrenit ditë më parë, ka regjistruar 20 pikë dhe ishte më efikasi së bashku me Arti Hajdarin që po ashtu pati 20 pikë të shënuara. Ty Nichols pati 19 pikë, derisa Josh Martin regjistroi “double-double” prej 12 pikëve e 25 kërcimeve.

Te Rahoveci më i dalluari ishte Isiah Traylor me 26 pikë, i përcjellë nga Alban Veseli (17).

Ndërkohë, përballja mes Prishtinës dhe Yllit është anuluar për shkak të dyshimeve për raste me koronavirus te skuadra e Sigal Prishtinës. Këtë e kanë konfirmuar edhe në Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK).

“Për shkak të dyshimeve se mund të ketë të infektuar me koronavirus, nuk kemi dashur të rrezikojmë që ndeshja të luhet, dhe kemi marrë vendim që ajo të shtyhet për një datë tjetër”, ka thënë Komesari i garave të basketbollit, Faton Kurshumlia për KOHËN.

Edhe Të tjera ndeshje interesante në Superligën e basketbollit në fundjavë Basketboll Të tjera ndeshje interesante në Superligën e basketbollit në fundjavë

Kjo është ndeshja e dytë e kësaj xhiroje që është anuluar për shkak të koronavirusit. Dueli ndërmjet Pejës e Bashkimit nuk është luajtur të mërkurën pasi te ekipi pejan janë konfirmuar dy lojtarë të prekur me koronavirus. Infektimin e lojtarëve me koronavirus, e kanë konfirmuar edhe te skuadra e Pejës të martën mbrëma, një ditë para zhvillimit të ndeshjes.

“Me keqardhje ju informojmë se dy lojtarë tonë kanë rezultuar pozitivë me COVID-19 dhe i janë nënshtruar masës së izolimit sipas rekomandimeve të IKSHPK-së. Ndeshja e paraparë kundër Bashkimit shtyhet për një datë tjetër”, ka shkruar KB Peja.

Përderisa ndeshja në palestrën “Karagaçi” të Pejës nuk është zhvilluar, të mërkurën skuadra e Trepçës ka triumfuar ndaj Vëllaznimit në Gjakovë, me rezultatin 80:76. Xhiroja e ardhshme e elitës së basketbollit kosovar pritet të zhvillohet këtë vikend.