Paul Pogba ka deklaruar se është ëndërr për të që një ditë të veshë fanellën e Real Madridit, përcjell Goal.
Në vitet e fundit e ardhmja e Paul Pogbas ka qenë e pasigurt, duke u lidhur gjithnjë me një largim nga Manchester Unitedi, transmeton KOHA.
“Djajtë e Kuq” kishin paguar afër 100 milionë euro për ta transferuar mesfushorin francez nga Juventusi në vitin 2016, por ai nuk ka arritur të përmbushë pritshmëritë.
“Po, të gjithë futbollistët do të donin të luanin për Real Madridin. Mund të jetë një ëndërr. Është një ëndërr për mua, pse jo një ditë? Por, unë luaj për Manchester Unitedin dhe e dua klubin tim. Performoj për Unitedin, argëtohem dhe dua të bëj gjithçka për ta vendosur klubin aty ku e meriton të jetë”, ka thënë Pogba, kur është pyetur rreth një transferimi të mundshëm te Real Madridi.