Sport

Plani i Krasniqit: Të mbrojë titullin në qershor dhe të nisë gjahun për titujt në versionet tjera

Haxhi (Robin) Krasniqi më 10 tetor të vitit të kaluar shkroi histori duke u bërë shqiptari i parë me titull të botës në boksin profesionist. Ai fitoi titullin e përkohshëm në versionin WBA, në kategorinë gjysmë të rëndë. Pas suksesit kulmor, Krasniqi pushoi një kohë e tani ka nisur stërvitjet intensive për meçin e ardhshëm. Do të ketë rimeç me Dominic Boeselin. Ndaj tij synon tjetër fitore me stil e më pas planifikon të sfidojë titujt e botës në versionet e tjera të mëdha. Krasniqi ka folur të dielën për KOHËN.

Haxhi Krasniqi është mësuar me stërvitje me ngarkesë maksimale. Stërvitjet e forta e të vështira e kanë sjellë junikasin në majë të boksit ndërkombëtar. Ai është kampion në fuqi i botës. E ka në pronësi titullin e përkohshëm të botës në versionin e madh, WBA (World Boxing Association), në kategorinë gjysmë të rëndë.

Me nokaut të jashtëzakonshëm, Krasniqi kishte mposhtur gjermanin Dominic Boesel në luftë për titull të botës, më 10 tetor të vitit të kaluar. Prej atëherë nuk ka boksuar më. Ka pushuar një kohë dhe ka shijuar frytet e suksesit.

Tani 34-vjeçari u është kthyer stërvitjeve. Po ushtron fuqishëm, si çdo herë. Dhe synimet vazhdon t’i ketë shumë të mëdha.
Ka dhjetë ditë që Krasniqi, i njohur me emrin Robin, ka nisur me stërvitje intensive. Planin e ka që ta mbrojë titullin e përkohshëm të botës në WBA ndaj gjermanit Boesel. Më pas synimet i ka për gjëra të tjera të mëdha – për të sfiduar titujt në versionet e tjera të mëdha.

Janë katër versione të mëdha në boksin profesionist gjithsej. Por WBA-ja i ka aktualisht tre kampionë. Superkampion është Dmitry Bivol. Kampion i rregullt i botës është Jean Pascal, ndërsa kampion i përkohshëm i botës është Krasniqi. Pra, të tre llogariten kampionë të botës.

Krasniqi në përpjekjen e tretë arriti te titulli i botës. Dy herë ishte mposhtur në luftërat për tituj. Për titull të botës kanë boksuar edhe Luan Krasniqi, Shpend Abazi, Edis Tatli e Shefat Isufi, por ata kanë humbur luftërat më të mëdha.

Krasniqi ka prekur nivel tjetër. Dhe synon të mbetet gjatë në nivelin më të lartë.

“Kam filluar të përgatitem, por ende datë për meçin e ardhshëm nuk ka. Po pritet që në qershor të organizohet një meç, por nuk ka asgjë zyrtare. Plani është që të përballem me boksierin e njëjtë ndaj të cilit fitova titullin”, ka thënë Krasniqi të dielën për KOHËN.

Krasniqi ka karrierë të gjatë e të ngjeshur në boksin profesionist. Prej vitit 2005 ka zhvilluar plot 57 meçe. Ka 51 fitore, prej tyre 19 me ndërprerje. Ka edhe gjashtë humbje. Humbjet i kanë ardhur në faza të rëndësishme të karrierës, por nuk e kanë zmbrapsur. Është kthyer, ka punuar edhe më shumë, ka përmirësuar gabimet dhe ka arritur fitore të reja. Dhe ndaj Boeselit realizoi synimin që e kishte nga fillimi – të bëhej shqiptari i parë me titull të botës në boksin profesionist.

“Ka dhjetë ditë që kam filluar me ushtrime intensive. Plani është të mbroj titullin. Dhe dua që këtë ta bëj në mënyrë bindëse. Kështu që edhe stërvitjet janë shumë të egra”, thotë Krasniqi, derisa tregon një fotografi të duarve të gjakosura nga stërvitja e së shtunës.

“Nuk kursehem në stërvitje. Edhe pse është fillimi i përgatitjeve pas disa muajve pushim, prapë jam më në formë se gjithë të tjerët. Kur të dal në ring do të dal shumë i përgatitur”, ka shtuar Krasniqi.

Gjermani Boesel ka 30 fitore e dy humbje. Humbja nga Krasniqi i erdhi befasishëm. Nuk ka boksuar më prej atëherë. Pjesë e marrëveshjes ishte rimeçi me Krasniqin, në rast të fitores së kosovarit.

“Patjetër që synimi është të shkëlqejë në ring edhe disa herë të tjera. Sukseset nuk kanë kufi. Për aq kohë sa do të jem në ring, dua që të prezantohem shumë mirë. Po përgatitem që të mbroj titullin me paraqitje bindëse dhe më pas të vazhdoj të boksoj kundër kampionëve që janë në versionet tjera”.