Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Pingpongisti Karabaxhaku ftohet për Lojërat Evropiane

Është konfirmuar emri i sportistit të dytë që do të përfaqësojë Kosovën në Lojërat Evropiane që në fund të qershorit mbahen në Minsk të Bjellorusisë.

Komiteti Olimpik i Kosovës ka njoftuar të enjten se Kosovës i është mundësuar pjesëmarrja me një garues në pingpong, ndërsa është vendosur për Fatih Karabaxhakun. Ftesa për të ka ardhur në emër të universalitetit.

"KOK-u në bashkëpunim me FPPK-në ka kërkuar nga organizatori që pingpongistit Fatih Karabaxhaku t'i mundësohet pjesëmarrja me ftesë në disiplinën individuale, pasi garuesve tanë u ishte mohuar pjesëmarrja në kampionatin evropian individual që vitin e kaluar u mbajt në Spanjë. Qeveria e Spanjës nuk i kishte dhënë vizë hyrëse delegacionit tonë", ka njoftuar KOK-u.

Më herët ftesë për pjesëmarrje në "Minsk 2019" ka marrë edhe boksierja Donjeta Sadiku. Ajo ka pasur karrierë të madhe në kategori të reja, ndërsa është në pritje të shpërthimit te senioret. Ka qenë viktimë e diskriminimit politik, pasi nuk i është lejuar pjesëmarrja në dy botërorë në Indi. Me normë në Minsk, Kosovën pritet ta përfaqësojnë xhudistët që janë thuajse të vetmit me potencial për medalje.

Artikuj të ngjashëm