Sport

Pingpongistët udhëtuan të papërgatitur për në Lojëra Mesdhetare

Dështimi i pingpongistëve të Kosovës, Fatih Karabaxhaku e Kreshnik Mahmuti, aspak nuk e ka habitur trajnerin e tyre te klubi i Prizrenit, Rifat Rifati. Rifati të mërkurën për KOHËN ka zbuluar se dy pingpongistët kanë udhëtuar në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022” pa u stërvitur fare për shkak se në Prizren nuk kanë pasur vend ku të përgatiten. Karabaxhaku e Mahmuti garuan të martën në Lojërat Mesdhetare, por i humbën të gjitha meçet.

Fatih Karabaxhaku humbi tri duelet që i zhvilloi të martën. Pësoi 4:0 në sete nga francezi Bastien Rembert, 4:2 nga Federico Giardi i San Marinos dhe 4:0 nga Niagol Ivanov Stoyanov i Italisë. Pra, i fitoi dy sete gjithsej. Ndërkohë Kreshnik Mahmuti humbi 4:0 në sete nga greku Ioannis Sgouropoulos. Me rezultat maksimal pësoi edhe nga serbi Marko Jevtiq. Në fund pësoi 4:0 edhe nga Aboubaker Bourass i Tunizisë.

Trajneri Rifati ka thënë se para shkuarjes në Lojërat Mesdhetare për ta përfaqësuar Kosovën, ata janë munduar të stërvitin duke improvizuar në rrugë me tavolinat e pingpongut. Sipas tij, klubi është nxjerrë nga qendra sportive “Sezai Surroi” për shkak të riparimeve, ndërsa në sallën e një shkolle të qytetit nuk kanë mundur të stërvitin për shkak të riparimit të parketit.

“Unë kam pasur telashe me përgatitjen e lojtarëve para shkuarjes në Lojërat Mesdhetare. Ata nuk kanë mundur të stërviten pothuajse fare. Në qendrën sportive nuk kemi pasur ku të stërvitemi, e po ashtu as në njërën prej shkollave të qytetit për shkak të riparimeve. I kemi nxjerrë tavolinat në rrugë dhe është dashur të improvizojmë, gjë që është qesharake”, ka thënë Rifati. “Ne nuk kemi pasur alternativë edhe pse dy lojtarët tanë do ta përfaqësonin Kosovën në Algjeri dhe të gjithë e dinin këtë fakt. Kjo është e papranueshme dhe e tmerrshme”.

Rifati nuk ka dashur të arsyetohet për rezultatet e pingpongistëve, të cilët rregullisht paraqiten në garat ndërkombëtare por ka thënë se vetëm ka treguar gjendjen reale në qytetin e Prizrenit, sa i përket pingpongut. Kështu që, sipas tij, është e pamundur të kërkosh suksese prej dikujt që nuk ka mundur të përgatitet për shkak të mungesës së hapësirës.

“Kemi pasur pengesa të përgatitemi dhe ky është shqetësimi im për shkak se ata nuk kanë mundur të jenë gati për këtë ngjarje. Nuk e di si mund të prisnin prej tyre suksese kur nuk kanë pasur stërvitje dhe për mua si trajner ky është një shqetësim shumë i madh”, ka thënë Rifati. “Kjo është gjendja faktike dhe ata nuk kanë mundur të përballen me lojtarët e shteteve tjera, të cilat në Algjeri kanë udhëtuar me pingpongistët më të mirë. Ne ende po ballafaqohemi me problemet që i kemi pasur qëkur ka përfunduar lufta, gjë që është e pabesueshme”.

Karabaxhaku dhe Mahmuti, janë dy prej pingpongistëve më të mirë të Kosovës.