E mërkura e 5 marsit, të vitit 2014, pesë vjet më parë, shënoi fillimin e një kapitulli të ri në historinë e futbollit kosovar, që shpërtheu izolimin shumëvjeçar dhe të padrejtë.
Stadiumi “Adem Jashari” në Mitrovicë, ishte i mbushur i tëri me 17 mijë shikues, të cilët po përkrahnin Kosovën në miqësoren e parë ndërkombëtare, të cilat u lejuan nga FIFA.
Kundërshtari i parë i Kosovës ishte Haiti, kombëtarja nga Amerika e Mesme, që u bë pjesë e historisë së futbollit kosovar, transmeton KTV.
Interesimi për ndeshjen e parë të Kosovës ishte jashtëzakonisht i madh, çka tregon edhe numri prej 193 gazetarëve nga Kosova dhe e mbarë bota, derisa të pranishëm ishin edhe zyrtarë të FIFA-s.
Përzgjedhësi i Kosovës, Albert Bunjaki, vendosi këtë përbërje kundër Haitit,
në portë Samir Ujkani, në mbrojtje Loret Sadiku, Avni Pepa, Fanol Përdedaj e Kristian Nushi. Mesfusha përbëhej nga kapiteni Anel Rashkaj, Ardian Gashi dhe Enis Alushi dhe treshja sulmuese Shpëtim Hasani, Ilir Azemi dhe Albert Bunjaku.
Edhe
“Çmenduria” e tifozëve, forcë për përfaqësuesen
Ekipi i Kosovës ka qenë plotësisht më i mirë, duke krijuar shumë raste shënimi, por pak fusha e rënduar nga shiu dhe pak nga fati i keq, Kosova nuk arriti të shënojë së paku një gol, që do të ishte kurorëzimi i kësaj ndeshjeje.
Kosova zhvilloi më vonë edhe miqësore të tjera, me kombëtare të njohura si Turqia apo Senegali, deri kur futbolli i Kosovës u pranua në UEFA dhe FIFA, dy vjet më pas, në maj të vitit 2016.