Sport

“Miqësorja me Haitin” – ndeshja historike që kthen në kujtesë entuziazmin dhe dështimet e mëvonshme

Kosova më 25 mars e nis ciklin e ri kualifikues, atë për Euro 2024. Futbollistët e Kosovës do të përballen me Izraelin, Rumaninë, Zvicrën e me përfaqësuese të tjera. Kosova tashmë është përballur me gjigantë të futbollit si Anglia, Spanja, Suedia. Dhe me të tjerë gjigantë do të përballet në të ardhmen.

Por vështirë se ndonjë ndeshje do të sjellë emocione si ndeshja me një përfaqësuese të vogël, që vinte nga një vend i largët e fare i panjohur për futbollin.

Të dielën janë bërë nëntë vjet nga ndeshja Kosova – Haiti. Ajo ndeshje është prej momenteve më të lavdishme në histori të futbollit kosovar, sidomos të Përfaqësueses së Kosovës në futboll.

Ishte luajtur në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë. Stadiumi ishte i stërmbushur. 17 mijë shikues ishin zyrtarisht. Moti ishte i ftohtë, ambienti përreth stadiumit jo i duhuri, por entuziazmi i shikuesve ishte në maksimum.

Ishte ndeshje që shënoi epokë. Fillimin e një epoke më saktë. Ishte ndeshja e parë miqësore e Kosovës, me leje të FIFA-s. Në fillim të vitit 2014, FIFA kishte dhënë leje që Kosova të luante miqësore me përfaqësuese të tjera. Dhe për terminin e parë të lirë ishte siguruar kundërshtari. Ishte siguruar Haiti, përfaqësuesja e vendit ishull në Karaibet e largëta.

Ndeshja ishte festive. Atmosfera në stadium po ashtu. Ndeshja nuk kishte dhënë gola, por ishte një fitore e madhe për Kosovën. Në shumë aspekte.

Në fushë Kosova e udhëhequr nga kapiteni i atëhershëm, Anel Rashkaj, kishte dominuar, por pa konkretizim. Në tribuna kënga e brohoritjet nuk ishin ndalur.

Kosova në fakt ka luajtur ndeshje edhe më herët. Që prej fillimit të viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar. Por miqësoret para asaj me Haitin nuk janë njohur nga FIFA.

Pritjet ishin që shpejt Kosova të niste me ndeshje kualifikuese. Lejimi i miqësoreve ishte sinjali i pritur gjatë nga FIFA.

Në vitin 2016 Kosova u pranua në UEFA e FIFA dhe atë vit nisi me ndeshje kualifikuese. Por ajo miqësore mbetet e veçantë dhe pjesë e rëndësishme e historisë.

“Miqësorja e parë nën ombrellën e FIFA-s me Haitin ishte sinjal që futbolli ynë ishte gati të bëhej pjesë e federatave ndërkombëtare, UEFA dhe FIFA. Që nga atëherë futbolli kosovar ka bërë hapa të mëdhenj para, duke shërbyer edhe si frymëzim për shumë të rinj që të ndjekin ëndrrat e tyre. Tani objektivi është kualifikimi në Euro 2024, një sfidë jo e lehtë. Por me angazhimin dhe përkushtimin e të gjithëve Kosova mund ta arrijë këtë sukses”, ka shkruar FFK-ja të dielën.

Futbolli kosovar është zhvilluar për nëntë vjet. Pranimi në UEFA e FIFA i dha vrull zhvillimit, ashtu siç pritej. Por ecja para nuk është në nivelin që shumë të pranishëm në “Adem Jashari” kanë shpresuar në atë pasdite të ftohtë të marsit 2014. Futbolli kosovar ende goditet fuqishëm nga kurdisjet, ndërsa merr goditje edhe në forma të tjera.

Asnjë i pranishëm në atë ndeshje me Haitin nuk ka mundur ta mendojë që nëntë vjet pas kapitullit historik, stadiumi ikonik buzë lumit Ibër në Mitrovicë do të ishte gërmadhë.

I tillë është sot stadiumi olimpik “Adem Jashari”. Në fakt, me gjendjen aktuale vetëm stadium e olimpik nuk mund të quhet. E aq më pak ta mbajë emrin e komandantit legjendar.

Në atë gjigant sportiv vite më parë ka nisur një renovim, por punët janë ndërprerë shpejt dhe nuk po nisin më. Në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e kanë arsyetuar ndaljen e punimeve.

“Është fatkeqësi gjendja në të cilën gjendet ky stadium. Lirisht mund të them, të mjerueshme. ‘Adem Jashari’ është një ndër projektet më problematike, të them kështu, ndoshta të llojit administrativ e tejkalim të procedurave, që rrjedhimisht ndërlidhet me qasjen e qeverisjeve të kaluara ndaj infrastrukturës sportive. Kanë filluar punimet, ka filluar renovimi, përderisa nuk kanë qenë të përmbushura procedurat administrative. Ka probleme me shpronësim të pronës, nuk ka leje të ndërtimit. Bashkë me Ministrinë e Infrastrukturës dhe në komunikim direkt me Komunën e Mitrovicës jemi në fazën e finalizimit të shpronësimit të pronave të cilat nuk kanë qenë të shpronësuara”, ka thënë një javë më parë zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani.

Ajo është shprehur optimiste se për një vit e gjysmë stadiumi do të jetë gati për ndeshje. Pak njerëz e pranojnë arsyetimin e Qeverisë, sidomos gjendjen e stadiumit.

Kosova aktualisht ndeshjet si vendëse i luan në “Fadil Vokrri”. Në të ardhmen mund të kthehet në “Adem Jashari”. Por entuziazmi i nëntë vjetëve më parë vështirë se mund të përsëritet.