Sport

Pesë skuadra të hendbollit në gara evropiane

Pesë skuadra kosovare të hendbollit do të paraqiten në gara evropiane në edicionin e ardhshëm 2022/2023.

Federata Evropiane e Hendbollit ka paraqitur ekipet pjesëmarrëse në Ligën Evropiane dhe në Kupën Evropiane. Në Ligën Evropiane nuk ka ekipe nga Kosova, ndërsa në Kupën Evropiane janë pesë, tri te meshkujt e dy te femrat.

Liga Evropiane është niveli i dytë i dytë i garave kontinentale për klube, pas Ligës së Kampionëve. Ndërkohë Kupa Evropiane është niveli i tretë.

Vjet ishin paraqitur plot tetë skuadra nga Kosova për Kupën Evropiane, katër te meshkujt e katër te femrat. Prishtina ishte tërhequr ndërkohë, ndërsa kishin garuar shtatë skuadra. Vetëm Besa Famgas te hendbollistët ia doli të kalojë një kundërshtar – Borcin e Banjallukës. Ndërkohë skuadrat e tjera ishin ndalur në ndeshjet e para, disa me humbje shumë të thella.

Këtë edicion disa prej skuadrave nuk e kanë shfrytëzuar të drejtën për të garuar në Evropë. Të drejtën edhe këtë herë e kishin tetë skuadra.

Te hendbollistët paraqiten tri skuadra, Besa Famgas, Rahoveci e Kastrioti.

Besa Famgas e Rahoveci startojnë prej raundit të dytë të Kupës Evropiane, ndërsa Kastrioti prej raundit të parë. Në raundin e parë janë 26 skuadra, ndërsa shorti tërhiqet më 19 korrik. Ndeshjet luhen më 10 e 11 dhe 17 e 18 shtator, ka njoftuar EHF-ja. Për short, Kastrioti është bartës.

Ndërkohë, kampionia e Kosovës, Besa Famgas, dhe Rahoveci raundin e parë e kalojnë pa lojë. Fillojnë prej raundit të dytë. Ndeshjet e para të raundit të dytë luhen më 29 e 30 tetor, ndërsa të kthimit më 5 e 6 nëntor. Ndërsa shorti tërhiqet më 20 shtator. Në short, Besa Famgas është bartëse, ndërsa Rahoveci nuk është bartës.

Rahoveci debuton në gara evropiane. Besa ndërkohë paraqitet rregullisht, por nuk ka arritur të kalojë më shumë se një kundërshtar. Kastrioti kthehet në gara evropiane pas tre vjetësh.

“77 ekipe nga 29 shtete të ndryshme janë regjistruar për Kupën Evropiane për hendbollistë. Numri total i ekipeve që janë paraqitur për nivelin e tretë është për tre më i madh se në edicionin e kaluar. 26 ekipe startojnë prej raundit të parë, ndërsa 51 prej raundit të dytë”, ka njoftuar EHF-ja.

Te hendbollistet, Kosovën e përfaqësojnë kampioni Istogu dhe nënkampioni Ferizaj.

Dy skuadrat startojnë prej raundit të parë. Shorti është më 19 korrik, ndërsa ndeshjet luhen në tetor (8 e 9 – 15 e 16). Në short, Istogu është bartës, ndërsa Ferizaj jo. Istogu e Ferizaj kanë garuar edhe vjet, por ishin ndalur pas ndeshjeve të para. Të dy skuadrat shpresojnë për më shumë sukses këtë edicion. Shumë do të varet prej shortit të javës së ardhshme.

“Hiç më pak se 59 skuadra, dy më shumë se edicionin e kaluar, janë regjistruar për Kupën Evropiane për hendbolliste. 54 prej ekipeve fillojnë kampanjën në raundin e dytë”, ka njoftuar EHF-ja.

Skuadrat kosovare paraqiten në gara evropiane edhe në futboll, basketboll e volejboll. Në basketboll janë kthyer pas disa vjetësh. Dhe do të jenë plot tri skuadra. Ndërkohë, në futboll katër skuadra të meshkujve tashmë po garojnë.