Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Hendboll, tri skuadra nisin prej raundit të parë në Kupën Evropiane, Besa Famgas prej të dytit

Skuadrat kosovare të hendbollit kanë mësuar kundërshtarët e mundshëm evropianë. Katër skuadra të hendbollistëve dhe katër të hendbollisteve garojnë në Kupën Evropiane, nivelin e tretë kontinental.

Për herë të parë plot tetë skuadra të hendbollit kanë vendosur për të garuar në Evropë. Te hendbollistët, Prishtina, Trepça e Vëllaznimi do të nisin që në shtator paraqitjen në gara evropiane.

Të tri skuadrat do të garojnë në raundin e parë të Kupës Evropiane, ku janë 30 skuadra gjithsej. Shorti është më 20 korrik, ndërsa ndeshjet luhen më 11/12 dhe 18/19 shtator, ka njoftuar FHK-ja. Prishtina është bartëse në short ndërsa Trepça dhe Vëllaznimi nuk janë bartës. Kampionia e Kosovës, Besa Famgas, e nis garimin prej raundit të dytë në Kupën Evropiane.

Ndeshjet e kësaj faze luhen në tetor, ndërsa shorti është po ashtu më 20 korrik. Besa për shkak të rezultateve në edicionet e kaluara, është bartëse në short. Gjithsej 74 skuadra janë paraqitur për të garuar në Kupën Evropiane, 23 më shumë se edicionin e kaluar.

Te hendbollistet, Vushtrria, Istogu, Prishtina e Ferizaj nisin prej raundit të dytë të Kupës Evropiane. Shorti është më 20 korrik, ndërsa ndeshjet luhen në tetor. Kampionia, Vushtrria, është bartëse në short, ndërsa tri skuadrat tjera nuk janë. Me raundin e dytë nis edicioni në Kupën Evropiane te hendbollistet. Te hendbollistet janë 57 skuadra, 16 më shumë se vjet.