Menaxheri i Suedisë, Janne Andersson ka përjashtuar mundësinë që Zlatan Ibrahimoviq të jetë pjesë e përfaqësueses në Botërorin që do të mbahet në Rusi.
36-vjeçari disa herë ka paralajmëruar se do të shqyrtojë mundësinë e rikthimit në përfaqësuese për të luajtur në Rusi, por Andersson kategorikisht ka refuzuar mundësinë e ftesës për shtatlartin.
“Zlatani dhe disa lojtarë tjerë kanë thënë se nuk duan të luajnë më për përfaqësuesen pas Evropianit në Francë dhe e respektoj këtë”, ka thënë Andersson për TV4.
“Nuk mund të mbështetem në atë që është raportuar në media dhe atë që ka thënë Zlatani. Mbështetem vetëm në ato që janë thënë mes nesh. Kemi pasur një marrëveshje dhe jemi pajtuar me të. Ai ishte i qartë me mua. Jam pajtuar m këtë”, ka shtuar ai.
I pyetur nëse Ibrahimoviq ishte në planet e tij, Andersson ka thënë: “Jo, absolutisht jo. Sepse ai tha ‘jo’. Të tjerët që kanë thënë ‘jo’ nuk janë përfshirë. Të përfshirët janë ata që kanë thënë ‘po’”.