Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Zeneli i mungon Kosovës, Giresse fton për herë të parë Sahitin

Pak kohë pasi u dha njoftimi nëpër mediumet franceze se Arbër Zeneli do t’i mungojë Reimsit për duelin me Lyonin shkaku i lëndimit, u publikua lista e Përfaqësueses së Kosovës për ndeshjet miqësore të këtij muaji. Zeneli, i cili pritet të mungojë të paktën një muaj shkaku i lëndimit që e pësoi në stërvitje, do të jetë mungesa e madhe e përzgjedhësit të ri të Kosovës, Alain Giresse, në miqësoret ndaj Burkina Fasos e Zvicrës. Zeneli në fillim të këtij muaji u rikthye nga lëndimi që e mbajti për më shumë se shtatë muaj jashtë fushës dhe paraqitjet e tij ishin pozitive te Reimsi, ku në tri paraqitje që i pati në tri ndeshjet e fundit kampionale, asistoi po aq herë. Ai për Kosovën nuk ka luajtur që nga muaji qershor i vitit të shkuar, ndërsa nuk do të jetë në gjendje ta ndihmojë as tani. Mësohet se 27-vjeçari, sulmues i krahut, ka pësuar dëmtim muskulor të mërkurën.

Francezi Giresse, që zëvendësoi Bernard Challandesin dhe u emërua në krye të Kosovës në fund të muajit të shkuar, në listën e tij ka ftuar 23 futbollistë, përfshirë edhe Emir Sahitin e Hajdukut të Splitit. Për Sahitin, i cili ka treguar paraqitje të mira këtë sezon tek ekipi kroat, do të jetë hera e parë që grumbullohet me “Dardanët”. Sahiti, 23-vjeçar, këtë edicion ka shënuar gjashtë gola dhe ka bërë katër asistime në 30 paraqitje për Hajdukun në të gjitha garat. Ai më herët ka luajtur për U19 dhe U21 të Shqipërisë. Ndërsa, krahas Zenelit, te Kosova nuk do të jetë i pranishëm as Bersant Celina, i cili ka vendosur të mbetet te Ipswich Towni për t’i ndihmuar klubit në disa ndeshje të rëndësishme të kategorisë së tretë të Anglisë. Kosova nis grumbullimin të hënën, ndërsa miqësoren e parë do ta luajë në Prishtinë. Në stadiumin “Fadil Vokrri” e pret Burkina Fason më 24 mars, ndërsa pesë ditë më vonë, në stadiumin e Zuerichut do të përballet me Përfaqësuesen e Zvicrës. Në fakt, stërvitjen e parë, Kosova do ta mbajë të martën, ka njoftuar Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), të premten.

“Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Alain Giresse, e ka publikuar listën e futbollistëve për dy ndeshjet miqësore të këtij muaji, kundër Burkina Fasos, më 24 mars në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ dhe kundër Zvicrës, më 29 mars në Cyrih. Trajneri francez më 21 mars do të paraqitet në konferencë për media në orën 11:00 në hotel ‘Emerald’, derisa stërvitja e parë do të mbahet më 22 mars në stadiumin “Fadil Vokrri”, në orën 16:00”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Për përzgjedhësin Giresse, këto do të jenë ndeshjet e para në krye të Kosovës. Ai në listën e tij ka përfshirë futbollistët që edhe janë bazë e ekipit dhe pothuajse rregullisht ishin të ftuar edhe nga ish-përzgjedhësi Challandes. Në këto dy ndeshje, Kosova do të futet me futbollistë që po kalojnë formë të mirë këtë fillimvit nëpër klubet e tyre përkatëse. Disa prej tyre kanë shfaqur formë të lartë në “top-5” ligat më të forta në Evropë.

Burkina Faso nuk është kundërshtar i panjohur për Kosovën. Burkina Faso në fakt vlerësohet një kundërshtar shumë i vështirë, marrë parasysh edhe arritjen e fundit në Kupën e Afrikës.

Edhe Zeneli tregon pse nuk është në përfaqësuesen e Kosovës Sport Zeneli tregon pse nuk është në përfaqësuesen e Kosovës

Përfaqësuesja afrikane arriti të kualifikohej deri në gjysmëfinale të Kupës së Afrikës në fillim të këtij viti. U mposht në gjysmëfinale, ndërsa në ndeshjen për vendin e tretë, humbi nga Kameruni.

Kosova ka luajtur më parë kundër Burkina Fasos.

“Dardanët” e kishin fituar miqësoren e zhvilluar në mars të vitit 2018-të me rezultatin 2:0.

Pak ditë më vonë, Kosova do të luajë në stadiumin e Zuerichut, Letzigrund, ku pritet të jenë një numër i madh i tifozëve shqiptarë, në përkrahje të Kosovës.

Përveç tifozëve shqiptarë në tribuna, edhe në fushë do të ketë shumë lojtarë shqiptarë. Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka e Andi Zeqiri janë pjesë e “helvetikëve”.

Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, që luan te Napoli, ka thënë më parë për KOHËN se do të jetë ndeshje shumë e veçantë.

Futbollistët e Kosovës në muajt e fundit kanë pasur paraqitje tejet të mira me skuadrat e tyre, me gola të shënuar e asistime.

Edhe Pak risi në listën e Kosovës në nismë të ciklit të ri Sport Pak risi në listën e Kosovës në nismë të ciklit të ri

Ndeshja ndaj Burkina Fasos dhe Zvicrës janë parapërgatitje për Kosovën që në qershor luan në Ligën C të Ligës së Kombeve. Kosova është në grup me Greqinë, Irlandën e Veriut dhe fituesin e ndeshjeve mes Qipros e Estonisë.

Pas ndeshjeve të Ligës së Kombeve, në vitin 2023, “Dardanët” luajnë ndeshjet e rregullta kualifikuese për “Euro 2024”.