Sport

Përvoja e Jashanicës në Evropë, ndihmë e madhe për Ballkanin

Bajram Jashanica është te Ballkani bindshëm lojtari me më së shumti ndeshje të luajtura në kuadër të kupave evropiane. Mbrojtësi 33-vjeçar i është afruar shifrës së 50 ndeshjeve në garat e Ligës së Kampionëve, Ligës së Evropës dhe Ligës së Konferencës.

Prej 47 ndeshjeve gjithsej, 18 i ka në fazë të grupeve të kupave evropiane. Me Skënderbeun e Korçës dhjetë paraqitje në Ligën e Evropës dhe deri tash i ka tetë me Ballkanin në Ligën e Konferencës.

Paraqitjen e 48-të në kupat kontinentale, Jashanica pritet ta bëjë kundër Astanas në “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Synimi i Jashanicës dhe kampionit të Kosovës në futboll, Ballkanit, është fitorja ndaj Astanas së Kazakistanit.

Ndeshja Ballkani – Astana luhet të enjten prej orës 18:45. I takon grupit C të Ligës së Konferencës.

“Puna është çelësi i suksesit. Këtë rrugë duhet ta ndjekësh nëse dëshiron të arrish në majat e futbollit. Është viti im i katërt që marr pjesë në garat ndërkombëtare, përkatësisht evropiane. Dy herë isha në Ligën e Evropës dhe dy herë në Ligën e Konferencës. Është ndjenjë shumë e mirë dhe një përvojë e jashtëzakonshme të marrësh pjesë në këto nivele. Çdo futbollist ka ëndërr të jetë në këto nivele”, ka thënë Jashanica të hënën për KOHËN.

Mbrojtësi i qendrës në edicionin 2017/2018 ka luajtur në pesë ndeshje në grupet e Ligës së Evropës, ndërsa në një duel ka qenë në stolin rezervë. Ndërkaq në edicionin 2015/2016 ka luajtur po ashtu në pesë ndeshje dhe ka shënuar gol ndaj Sportingut.

I pazëvendësueshëm është edhe te Ballkani. Ai luajti në gjashtë ndeshjet e edicionit të kaluar të Ligës së Konferencës dhe në dy ndeshjet e deritashme të edicionit aktual.

“Është një rrugëtim jashtëzakonisht i mirë deri më tani. Viti i parë te Ballkani ka qenë pak i vështirë, por me punë dhe angazhim vjen edhe suksesi. Është një pjesë jashtëzakonisht e mirë në karrierën time, duke falënderuar bashkëshorten që gjithmonë ka qenë një shtysë për mua në gjithë rrugëtimin”, ka theksuar mbrojtësi llapjan.

Pjesë të rëndësishme të karrierës e vlerëson edhe besimin dhe mbështetjen që ka pasur nga kryetari i klubit Ballkani, Arsim Kabashi, dhe trajneri aktual, Ilir Daja.

Me Dajën, Jashanica ka punuar edhe te Skënderbeu. Ballkanit iu bashkua nga Skënderbeu në verën e vitit 2020. Me suharekasit ka kontratë deri në verën e vitit të ardhshëm.

“Ky Ballkan është i ndërtuar për të arritur shumë sukses si në Kosovë ashtu edhe në arenën ndërkombëtare, falë presidentit Arsim Kabashi dhe profesorit Ilir Daja me stafin dhe ne futbollistët në fund që jemi akterët e fushës. Ballkani është i ndërthurur nga lojtarë me përvojë dhe të rinj me shumë kualitet. Kemi një grup shumë të mirë lojtarësh”, ka thënë Jashanica.

Jashanica karrierë ka bërë edhe te Hysi, klub me të cilin e ka fituar titullin e kampionit të Kosovës. Hysi nuk ekziston më.

Dy tituj kampioni dhe një trofe të Superkupës i ka fituar edhe me Skënderbeun e Korçës, derisa karrierë ka bërë edhe te skuadra e Besës së Kavajës.

“Jam në formë të mirë dhe mundohem çdo ditë ta jap maksimumin në stërvitje për ta ruajtur formën. Derisa jam në këtë nivel me këto rezultate, normalisht se do të luftoj në çdo ndeshje qoftë edhe në miqësore për të fituar sa më shumë trofe”.

Jashanica po bëhet gati për ndeshjen e 288-të në karrierë, sipas të dhënave zyrtare. Ballkani është në moment shumë të mirë. E fitoi ndeshjen e kaluar në Ligën e Konferencës kundër gjigantit kroat, Dinamo Zagreb.

Fitorja ndaj Dinamos ka motivuar lojtarët e Ballkanit për një tjetër fitore të madhe.

“Ishte një ndeshje shumë e vështirë. E kishim analizuar shumë mirë Dinamon dhe bëmë maksimumin që ta mposhtim Dinamon shumë të fortë. Fitorja do të thotë shumë që të vazhdojmë me këmbë në tokë edhe për rezultat tjetër pozitiv, tani kundër Astanas. E dimë se është një kundërshtar i fortë, por do të japim maksimumin që në ‘Fadil Vokrri’ të dalim fitues”, është shprehur Jashanica.

Ai insiston se Ballkani ka gjasat për kalim në fazën nokaut. Do të ishte sukses historik.

Ballkani është në vendin e dytë me tri pikë, sa ka edhe Dinamo. Në vendin e parë me gjashtë pikë është Viktoria Plzeni, nga e cila humbi kampioni kosovar. Astana është e fundit pa pikë.

“Me këmbë në tokë duhet t’i zhvillojmë ndeshje pas ndeshjeje. Pse mos të shpresojmë edhe në një kalim të grupit. Është e vështirë, por kemi një grup të lojtarëve jashtëzakonisht të mirë gjë që na jep shpresë dhe motiv për të vazhduar tutje, gjithnjë duke mos harruar se nuk jemi favorit. Por do ta japim më të mirën për rezultate sa më të mira”.

Jashanica ka luajtur gjashtë ndeshje për Kosovën. Katër prej gjashtë ndeshjeve i ka në kuadër të kualifikimeve për Botërorin e vitit 2018. Ai së fundi luajti në miqësoren kundër Guinesë më 8 qershor të vitit 2021. Forma e mirë e bën të shpresojë në një ftesë tjetër nga Përfaqësuesja.