Futbollistët e Përfaqësueses së Kosovës, drejtuesit e saj dhe krerët e Federatës të dielën pasdite kanë mbërritur në Prishtinë pas pikës së fituar të shtunën mbrëma ndaj Zvicrës në Bazel. Zvicra e Kosova barazuan me rezultatin 1:1. Për të dy përfaqësueset ishte ndeshja e parafundit kualifikuese për “Euro 2024”. Kosova festoi pikën e fituar, kurse Zvicra kualifikimin në Evropianin që mbahet vitin e ardhshëm në Gjermani. Kosova është pa gjasa për kualifikim.
Delegacioni i Kosovës e bëri daljen nga hapësirat e zonës VIP të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
I pari që doli ishte kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi. Pas tij, si zakonisht, ishte drejtori i Përfaqësueses, Muharrem Sahiti.
I pari i shtëpisë së futbollit, Ademi, refuzoi të flasë para kamerës së KOHËS, ndërsa një gjë të tillë refuzoi ta bëjë edhe Sahiti.
Agim Ademi është kritikuar shumë në opinion për dështimin e Përfaqësueses për t'u kualifikuar në “Euro 2024”. Kritika ka pasur edhe për Sahitin, që në bazë të funksionit që mban zyrtarisht ka përgjegjësi të madhe.
Pas Ademit e Sahitit dolën stafi tjetër i Përfaqësueses dhe lojtarët. Nuk munguan edhe mysafirë të ndryshëm që FFK-ja i kishte me vete në Basel.
I gatshëm të deklarohet për KOHËN nuk ishte as mbrojtësi Fidan Aliti. Ai ndaj Zvicrës ishte kapiten i Kosovës në mungesë të Amir Rrahmanit, Vedat Muriqit dhe Milot Rashicës.
Disa prej lojtarëve nuk hezituan ta përshëndesnin ekipin e KOHËS, por nuk ishin të gatshëm për arsye të ndryshme të flasin para kamerës. Kishte prej lojtarëve që thanë se u është ndalur të deklarohen.
Gatishmëri nuk pati as përzgjedhësi i Kosovës, Primozh Gliha, deklaratat e fundit të të cilit bënë bujë. Ai flet në konferenca para ndeshjeve dhe për transmetuesit pas ndeshjeve. Flet gati rregullisht për mediat në Kroaci, por shumë rrallë për mediat në Kosovë.
Slloveni Gliha tha se nuk mund të deklarohet, duke drejtuar gishtin ngah Agim Ademi.
Disponim të flasë për akuzat publike të Edon Zhegrovës nuk pati as menaxheri i Përfaqësueses, Bajram Shala. Zhegrova ditë më parë bëri akuza shumë të rënda ndaj njerëzve që janë brenda Përfaqësueses. Akuzat u drejtuan ndaj atyre “që vendosin për fatin e Kosovës në forma individuale”, siç ka shkruar njëri prej lojtarëve kryesorë të Përfaqësueses. Lojtari i Lillet ka shkruar se i ishte thënë të mos grumbullohej me Kosovën për ndeshjen me Zvicrën dhe Bjellorusinë, pasi e kishte të pamundur të grumbullohej për ndeshjen me Izraelin. KOHA ka mësuar se njëjtë i është thënë edhe kapitenit Amir Rrahmani. Rrahmani nuk ka dhënë asnjë sqarim. Përgjigje konkrete nuk ka pasur nga Federata e udhëhequr nga Agim Ademi. Gliha ka folur për këtë temë dhe vetëm e ka komplikuar gjendjen. Fillimisht tha se ai nuk i merr vendimet e tilla e më pas deklaroi se Zhegrova ka refuzuar të vijë.
Mërgim Vojvoda ishte i vetmi prej lojtarëve të Kosovës që shprehu gatishmëri të flasë para kamerës. Lojtarët e tjerë që ekipi i KOHËS iu drejtua me kërkesë për deklaratë, refuzuan.
Vojvodës i vjen keq që Kosova nuk arriti të kualifikohet në Evropian.
“E kemi provuar. Kemi pasur mundësi të bëjmë më mirë, gjithmonë ka mundësi të bëjmë më mirë. Jemi munduar të kualifikohemi ashtu siç kemi bërë gjithmonë, por kësaj radhe nuk ishte e shkruar. Ne duhet të vazhdojmë. Ka qenë një gjë e mirë, pasi kemi provuar shumë lojtarë dhe këtë duhet ta mbajmë në mend”, ka thënë Vojvoda.
Kosova e ka edhe një ndeshje për ta mbyllur edhe një cikël tjetër të pasuksesshëm. Të martën luan kundër Bjellorusisë në Prishtinë.
Kosova vitin e ardhshëm do t’i nisë garat në edicionin e katërt të Ligës së Kombeve. Ndeshjet do t’i zhvillojë nga shtatori deri në nëntor, kurse cikli kualifikues për Botërorin e vitit 2026 nis në mars të vitit 2025.
Vojvoda thotë se duhet punë shumë për t’u kualifikuar në një ngjarje të madhe të futbollit.
“Duhet të punojmë ende. Nuk besoj se ka pasur dallim të madh me lojtarët, vetëm se kemi provuar të tjerë lojtarë dhe kjo ka qenë e tëra. Por duhet të punojmë, kemi shumë lojtarë të rinj dhe duhet të punojmë shumë dhe të ketë besim tek ne dhe shpresoj se do të bëhet mirë”, ka shtuar Vojvoda.
Kosova deri më tani i ka dy fitore, pesë barazime e dy humbje.