Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Përfaqësuesja e fundit në botë kërkon paraqitje të mirë ndaj Kosovës

Te San Marino presin një paraqitje të mirë në ndeshjen miqësore kundër Përfaqësueses së Kosovës, që do të zhvillohet të martën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë (18:00). Të hënën mbrëma futbollistët e San Marinos kanë zhvilluar stërvitjen e fundit para përballjes me “Dardanët”.

Për San Marinon kjo do të jetë ndeshja e dytë brenda pak ditëve, pasi të premten pësoi humbje të thellë, 7:0, nga Përfaqësuesja e Italisë. Përzgjedhësi i San Marinos, Franco Varrella, në konferencën për shtyp tha se miqësoret me Italinë dhe Kosovën do t’i shërbejnë ekipit të tij për t’u përgatitur sa më mirë për ndeshjet e kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Katari 2022”, që i luan në muajin shtator.

Në shtator, San Marino do t’i luajë tri ndeshje në kuadër të këtyre eliminatoreve, me Andorrën (2 shtator), Poloninë (5 shtator) dhe Shqipërinë (8 shtator), në kuadër të Grupit I. Në tri ndeshjet kualifikuese të luajtura në muajin mars, San Marino ka pësuar po aq humbje. Zë vendin e fundit në grup, me dhjetë gola të pësuar dhe asnjë të shënuar.

Përzgjedhësi Varrella beson në një paraqitje të mirë të futbollistëve të tij përballë Kosovës. Në fakt, San Marino është përfaqësuesja e fundit në botë. Në ranglistën e FIFA-s, të publikuar muajin e shkuar, San Marino është renditur në pozitën e 210 (të fundit) me 804 pikë të grumbulluara. Ndërkohë, Kosova renditet e 120-ta me 1.151 pikë të mbledhura.

“Siç e dini, koronavirusi ka shkaktuar probleme të mëdha në të gjitha kampionatet e futbollit, përfshirë edhe kampionatin tonë. Kështu që ndeshja me Kosovën është e mirëseardhur për ne, duke pasur parasysh se në muajin shtator na presin tri ndeshje eliminatore për Kampionatin Botëror dhe ne duhet të jemi të përgatitur”, është shprehur Varrella. “Synimi ynë është që të tregojmë një paraqitje të mirë dhe të jemi sa më të përgatitur për ndeshjet e shtatorit, ku edhe është fokusi ynë. Kështu që këtë fazë parapërgatitore do ta përdorim për këtë”.

Edhe Ndeshja me ekipin më të dobët në botë, “për të kthyer vetëbesimin” Sport Ndeshja me ekipin më të dobët në botë, “për të kthyer vetëbesimin”

Në të vërtetë, San Marino konsiderohet përfaqësuesja më e dobët në botën e futbollit dhe përbëhet kryesisht prej lojtarëve amatorë që karrierë bëjnë në kampionatin vendës. Përfaqësuesja e San Marinos përfaqëson popullatën më të vogël të një shteti që është anëtar i UEFA-s, me rreth 33 mijë banorë. Ndeshjen e parë zyrtare San Marino e ka të zhvilluar kundër Zvicrës në vitin 1990, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian, të cilën e kishte humbur me rezultatin 4:0. Në FIFA e UEFA është pranuar në vitin 1988. Humbjen më të thellë në histori, San Marino e ka pësuar në kuadër të eliminatoreve për Evropianin e vitit 2008, kur më 6 shtator të vitit 2006, pësoi në shtëpi nga Përfaqësuesja e Gjermanisë me shifrat 13:0. Fitoren e vetme prej pranimit, San Marino e ka në miqësoren kundër Lihtenshtajnit, më 28 prill të vitit 2004. Këtë ndeshje San Marino e ka fituar me rezultatin minimal, 1:0. Ndërkohë, rezultatin e fundit pozitiv e ka barazimin pa gola kundër Gjibraltarit (14 nëntor, 2020) në kuadër të Ligës së Kombeve.

“Në ndeshjen kundër Kosovës kërkojmë të krijojmë vazhdimësi. Pra, të mbajmë formën e duhur pas ndërprerjes që e kemi pasur. Duam të rikthejmë formën në mënyrë që të jemi të gatshëm për ndeshjet e shtatorit”, ka thënë mesfushori Lorenzo Lunadei, që është pjesë e ekipit vendës SS San Giovanni. “Besoj që jemi të gatshëm për këtë duel dhe do të mundohemi të japim më të mirën nga vetja. Kosova është një ekip shumë i mirë, që kryesisht luan përmes krahëve. Mendoj se jemi të gatshëm për këtë ndeshje dhe synimi ynë është që të kemi një paraqitje sa më të mirë. Jam optimist për këtë”.