Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Përballja Juve - Inter shënon fundin e gjendjes emergjente në Itali

Juventusi dhe Interi përballen të dielën mbrëma me shpresat e tyre për titull në ekuilibër, pasi Italia hap plotësisht dyert e stadiumeve për tifozët për herë të parë në dy vjetët e fundi. Tifozët do ta kthejnë fokusin kah Serie A pas shqetësimeve që i patën shkaku i dështimit të Përfaqësueses së Italisë për t’u kualifikuar në Kampionatin Botëror “Katari 2022”.

I ashtuquajturi “Derbi i Italisë” në Torino do të jetë një nga takimet e para që do të luhet në stadium të mbushur plot, pasi ishte gjithashtu një nga ndeshjet e para që u luajt prapa dyerve të mbyllura në mars të vitit 2020.

Dyert hapen plotësisht me një ndeshje, e cila mund të jetë vendimtare për të vendosur se kush pretendon titullin e kampionit këtë edicion. Me tetë ndeshje të mbetura deri në fund të edicionit, rrugëtimi i Interit për titullin e Italisë ka hasur në vështirësi pas një rënie të formës që e zhvendosi në pozitën e tretë, gjashtë pikë prapa liderit dhe rivalit të qytetit, Milanit.

Milani luan të hënën në shtëpi ndaj Bolognas, në kuadër të xhiros së 31-të në Serie A. Juventusi, që në fillim të muajit shkurt ishte 11 pikë prapa Interit, tani e ka vetëm një pikë dallim me rivalin e vjetër, falë një serie pa humbje prej 16 ndeshjesh që pothuajse i ka garantuar një vend në Ligën e Kampionëve dhe gjithashtu e futi në garë për titull.

Që nga humbja në shtëpi nga Atalanta në fund të nëntorit të vitit të shkuar, Juventusi ka marrë 38 pikë nga 48 të mundshme, pavarësisht se kurrë nuk performoi me standardet e trajnerit Massimiliano Allegri të vendosura gjatë periudhës së tij të parë në “Allianz Stadium”.

Edhe “Derbi i Italisë” në Serie A, Juventusi e pret Interin Sport “Derbi i Italisë” në Serie A, Juventusi e pret Interin

Juventusit për derbin ndaj Interit i rikthehen tre lojtarë të rëndësishëm. Mesfushori Dennis Zakaria dhe mbrojtësit Alex Sandro e Leonardo Bonucci, ishin të lënduar. Ndërsa Manuel Locatelli është shëruar nga koronavirusi dhe do të jetë i gatshëm për lojë gjithashtu.

“Ndeshja me Interin është shumë e rëndësishme bazuar në renditjen në tabelë. Po besoj se nuk ka nevojë ta shpjegojë rëndësinë e derbit të cilin duhet ta fitojmë patjetër. Është ndeshja më e madhe e Italisë dhe me përkrahjen e tifozëve tanë jam optimist se mund të fitojmë”, është shprehur Zakaria. “Jemi gati si skuadër për këtë ndeshje të madhe, e cila nuk do të jetë aspak e lehtë për shkak se përballemi me kampionin në fuqi”.

Në anën tjetër Interi, në dhjetë ndeshjet e fundit në Serie A, ka vetëm dy fitore. Trajneri Simone Inzaghi është i vendosur për ta fituar derbin, për ta mbajtur hapin për titullin e kampionit.

“Është një ndeshje shumë e vështirë dhe e rëndësishme të cilën jam i bindur se ekipi im do ta fitojë pas një serie të rezultateve jo shumë të mira. Pushimi prej dy javësh ishte i rëndësishëm dhe tani na mbetet të mos dorëzohemi deri në fund të sezonit”, është shprehur Inzaghi.

Edhe Interi pranë titullit, lufta për pozitat e tjera Futboll Interi pranë titullit, lufta për pozitat e tjera

Italia tashmë i ka dhënë fund gjendjes së saj të jashtëzakonshme me Covid-19, por virusi ende duket se ka hije në ligë. Të enjten Federata Italiane e Futbollit tha se Napoli, kryetari Aurelio de Laurentiis dhe mjeku i klubit janë referuar në gjykatën e saj për tre lojtarë që nuk u mbajtën në karantinë për ndeshjen me Juventusin në janar. Ndërkohë, pesë ndeshjet e shtyra shkaku i rasteve me virus tashmë janë riplanifikuar, me ndeshjen e pazhvilluar të janarit mes Interit dhe Bolognas që do të luhet më 27 prill - vetëm katër javë larg nga fundi i sezonit.

Napoli do të ketë një vikend të vështirë. E pret udhëtimi tek Atalanta, ku lëndimet dhe suspendimet mund të ndikojnë që mos ta mbajë hapin me Milanin për kreun e tabelës. Sulmuesi Victor Osimhen dhe qendërmbrojtësi Amir Rrahmani janë të suspenduar, ndërsa Giovanni di Lorenzo dhe portieri Alex Meret janë të lënduar. Në dyshim mbeten edhe Andre Anguissa, Fabian Ruiz, Adam Ounas e Piotr Zielinski.