Klubi i notit Step do ta organizojë garën e parë ndërkombëtare të notit, e cila do të jetë e para e kësaj natyre në Kosovë.
Gara do të jetë dyditore dhe do të nisë më 30 shtator e do të përfundojë një ditë më pas.
Ish-notuesja, Rita Zeqiri, që njëherësh është edhe përfaqësuese e KN Step, shprehet shumë e lumtur për këtë organizim dhe jep më shumë detaje rreth shteteve pjesëmarrëse dhe numrit të garuesve.
Gara do të mbahet në pishinën e mbyllur në ambientet e Klubit të Notit Step. Kjo pishinë është inauguruar sivjet dhe i plotëson të gjitha kushtet për një garë ndërkombëtare.
Zeqiri tregon se do të ketë gara individuale dhe ekipore në disiplina të ndryshme, në të dy kategoritë.
Kjo ngjarje do të zhvillohet në përputhje me të gjitha rregullat e Federatës Ndërkombëtare të Notit, ku edhe koha do të matet në mënyrë elektronike.
Ekipi i parë do të marrë çmimin prej 1000 eurosh, ndërsa nga 1000 euro do t’i ndahen edhe garuesve më të mirë në kategoritë respektive te meshkujt dhe te femrat. Kjo do të vendoset nga juria e përbërë nga Boto Trendafilov, Aleksandar Filipce dhe Agron Zeqiri.