Sport

“Lufta” e notarëve për të shkuar me ftesë në Olimpiadë ka nisur herët

Prishtinë, 9 shkurt – Është ende e paqartë për Federatën e Notit të Kosovës dhe Komitetin Olimpik të Kosovës se sa ftesa do t’u takojnë notarëve për pjesëmarrje në lojërat olimpike “Tokio 2020”. Ka opinione të ndryshme për këtë.

Në FNK thonë se u takojnë dy ftesa, ashtu siç i kishin marrë për lojërat olimpike “Rio 2016”, ndërsa në KOK theksojnë se për Tokio, notarëve do t’u takojë vetëm një ftesë. Për normë as që e diskutojnë, meqë janë goxha larg me rezultate.

Por, ajo që ka nisur të diskutohet është se cili garues apo garuese nga sporti i notit do ta përfaqësojë Kosovën në Tokio në ngjarjen e shtyrë për këtë verë. Madje, ka nisur një “luftë” qysh tash.

KOHA ka mësuar nga burimet e saj brenda Komitetit Olimpik të Kosovës se kryetari i klubit të notit “STEP”, Agron Zeqiri, ka shfaqur frikën se nga Federata e Notit e Kosovës mund t’i bëhet e padrejtë në përzgjedhjen e garuesit që do ta përfaqësojë Kosovën me ftesë. Zeqiri madje ka kërkuar edhe garanci nga KOK-u që garueses së klubit të tij, Eda Zeqiri, do t’i takojë ftesa për Tokio. Por, këtë garanci nuk e ka marrë nga KOK-u e as nga FNK-ja, ndonëse krerët e kësaj të fundit pranojnë se Eda Zeqiri aktualisht ka rezultate më të mira në pishinë 50 metra, në disiplinën 100 metra shpinë. Në konkurrencë Eda Zeqiri e ka Fjorda Shabanin, që po ashtu është e datëlindjes 2004, njëjtë si Eda.

Nëse eventualisht ndonjë notar arrin të fitojë normë olimpike, atëherë me automatizëm humb e drejta e pjesëmarrjes me ftesë. Shpresat për normë i ka notari Arti Krasniqi që jeton në Gjermani.

Se klubi i notit STEP dhe Federata kanë mospajtime, nuk është diçka e re. FNK-ja së fundi e ka propozuar Eda Zeqirin për të përfituar bursë nga Komiteti Olimpik i Kosovës si shpresë olimpike.

Sekretari i përgjithshëm i FNK-së, Astrit Haliti, thotë se afatin për ta dërguar emrin e garuesit për Tokio do ta kenë deri në fillim të muajit qershor. Më 23 korrik nisin Lojërat Olimpike, që zgjasin deri më 8 gusht. Olimpiada është dashur të mbahet në verën e vitit të kaluar, por është shtyrë për verën e këtij viti pas shpërthimit të pandemisë së koronavirusit.

Haliti insiston se asnjë garuesi nuk do t’i hyjnë në hak. Ai thekson se nëse vjen puna që në Olimpiadë të marrin pjesë me ftesë, atëherë do ta dërgojnë garuesin me rezultatet më të mira të arritura.

“Është dashur t’i kemi dy ftesa, ashtu siç ndodh zakonisht, pra një ftesë për konkurrencën e meshkujve dhe një për femra, por nëse kanë ndryshuar gjërat tash shkaku i pandemisë, është diçka tjetër. Kemi afat deri në fillim të muajit qershor dhe ne do të përzgjedhim më të mirët, jo vetëm se ka bursë olimpike, por do të shohim gjatë këtyre muajve në gara se cilët garues do të jenë me rezultate më të mira. Do ta dërgojmë garuesin apo garuesen me rezultatet më të mira, por garanci nuk i japim askujt, sepse nuk mund t’i japim as vetes garanci sa jetojmë. Nuk do t’i hyjmë në hak askujt”, ka thënë Haliti.

Sekretari Haliti insiston se gjithçka do të varet nga rezultatet e muajve të fundit.

“Si Fjorda Shabani ashtu edhe Eda Zeqiri janë garuese të lindura në vitin 2004. Momentalisht me rezultate më të mira është Eda, por mund edhe të ndryshojnë gjërat, nëse Fjorda përmirësohet brenda këtyre muajve. Fjorda në kampionatin evropian të vitit 2018 ka qenë më e mirë në pishinën 50 metra në disiplinën 100 metra shpinë dhe nuk e dimë a mund t’i përsëritë apo jo rezultatet. Aktualisht Fjorda nuk është në formën më të mirë, por ka kohë për përmirësim. Në maj është paraparë të mbahet edhe kampionati evropian dhe përfundimisht do t’i shohim rezultatet e garave të muajve të ardhshëm, gjithnjë nëse do të mbahen shkaku i situatës me koronavirus. Nuk do të ngutemi deri në afatin përfundimtar”, ka thënë Haliti.

Haliti, njëjtë si KOK-u, ka ende shpresa që Arti Krasniqi do ta sigurojë normën në Fukuoka të Japonisë, në garën kualifikuese që është paraparë të mbahet në fund të muajit maj. Arti synon normën në 10 kilometra, ujëra të hapura.

“Arti Krasniqi është një shpresë dhe nëse mbahet maratona 10 kilometra në Japoni, kemi shpresa për ndonjë normë. Ai është në Gjermani dhe siç dihet masat janë të ashpra atje dhe nuk po mund të ushtrojë me intensitet të plotë. Pandemia e ka penalizuar goxha shumë”, ka theksuar Haliti.

Është Agron Zeqiri, kryetar i STEP-it, që frikësohet se vajzës së tij, Edës, mund t’i bëhet e padrejtë.

“Në lojërat olimpike ‘Tokio 2021’, Kosova do të ketë dy pjesëmarrës notues me ftesa, një për meshkuj dhe një për femra. Sipas sistemit kualifikues të FINA-s, sipas rregullave të Federatës Botërore të Notit, vendi meritor i takon sportistit i cili ka rezultatin më të mirë të arritur në garat kualifikuese të FINA-s, i cili është valid në periudhën kualifikuese nga 1 marsi 2019 deri në qershor të vitit 2021. Sportistja numër një në not në Kosovë, Eda Zeqiri, sipas kritereve të FINA-s për Lojërat Olimpike është bindshëm më e mira me diferencë të madhe, dhe ‘konkurrente serioze’ ka vetëm FNK-në dhe KOK-un, të cilat me agjendat e tyre aktualisht mbështesin sportistë shumë më të dobët konform rregullave të FINA-s, si për bursë, mbështetje financiare për përgatitje dhe gara. Deri tani as që përmendet Eda. Por 100 % Eda do të mbizotërojë edhe këto sfida sportive, sepse është maksimalisht e fokusuar në progres stërvitor”, ka thënë kryetari i klubit të notit STEP, Agron Zeqiri.

Në lojërat olimpike “Rio 2016”, Kosovën e përfaqësuan dy notarë, Lum Zhaveli dhe Rita Zeqiri. Asnjëri prej garuesve nuk pati rezultate të mira, ndërsa Kosova falë xhudistes Majlinda Kelmendi u kthye nga Brazili me medalje të artë. Shpresat për medalje në Tokio janë sërish te xhudoja.

Pos në not, ftesa është e garantuar edhe për atletikë, në bazë të parimit të IOC-së për përfaqësimin e të gjithëve.

Image